12 September 2018 / 15:33
Kryeministri Zoran Zaev vlerëson se VMRO-DPMNE-ja me qëndrimin e saj ndaj referendumit po mashtron qytetarët duke i futur ata në huti. Sipas të parit të ekzekutivit, me opozitën nuk ka hapësirë debati përderisa kreu i saj, Micskoski nuk deklarohet kundër bojkotit.
Jam i gatshëm të pranoj debat me Mickoskin kur ky i fundit tekstualisht dhe qartë do të prononcohet se është kundër bojkotit. Sapo të deklarohet, le ta zgjedh mediumin dhe do të debatojmë. Këto qëndrime përfundimisht janë mashtrime për të ardhmen e Maqedonisë – tha Zoran Zaev, Kryeministër.
Kreu i integristëve Ali Ahmeti nga ana tjetër e vlerëson si progresiv qëndrimin e opozitës.
Unë mendoj se ka progres në këtë drejtim. Mendoj që akoma duhet të përparojnë në drejtim të progresit edhe më të madh. Mendoj se VMRO-DPMNE-ja nuk do të fitoj asgjë me bojkot dhe mos pjesëmarrje në referendum dhe shpresoj se ky progres do të jetë edhe më i madh në të ardhmen – u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar BDI-së.
Organet e partisë opozitare vendosën mbrëmë që në referendumin e 30 shtatorit, qytetarët të veprojnë sipas bindjeve të tyre.
Sollëm vendim që çdo qytetar të veproj sipas bindjeve të tij. Çdo individ me moralin e tij do të vendos për variantin për të cilin beson se është më i miri për familjen e tij dhe Maqedoninë tonë – deklaroi Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Qëndrimi i tillë i VMRO-së, nuk ishte se nuk pritej. Mickoski që pas nënshkrimit të marrëveshjes së Prespës kishte deklaruar se ai personalisht do të votojë kundër kësaj marrëveshje, duke paralajmëruar se nuk ka të drejtë që t’ia imponon qytetarëve të votojnë “për” ose “kundër”
Unë si Hristijan Mickoski në atë referendum do të votojë kundër kësaj të ashtuquajture marrëveshje – u shpreh Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Që nga arritja e marrëveshjes për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, VMRO-DPMNE-ja kundërshtoi paktin duke e vlerësuar si marrëveshje kapitulluese. Për tre muaj mbajti të bllokuar emërimin e anëtarëve të KSHZ-së, me qëllim për të pamundësuar shpalljen e referendumit. Paratë për fushatë, deputetet e VMRO-së, nuk i pranuan duke kërkuar që të njëjta mjete të destinohen për projekte konkrete.
Adrian Kerimi