Alsat 2019-12-11T16:13:55+01:00
Ligjet që siguruan reforma në shërbimet e sigurisë duhet të rishikohen, të plotësohen dhe të rregullojnë më qartë veçanërisht format e kontrollit mbi punën e tyre. Kjo ishte ndër kërkesat kryesore që doli nga konferenca kushtuar punës së këtyre institucioneve. Drejtori i Agjencisë Teknike-Operative, Zoran Angellovski, pranoi se aktualisht mbi institucionin e tij nuk ushtrohet kontroll i vërtetë. Ligji për ATO-në e cila merret me ndërmjetësimin e sinjalit të përgjimeve është problematik dhe jofunksional, shtoi Angellovski.
Ne shohim numrin e përgjimeve të realizuara. Këtë të dhënë ATO-ja me Komisionin e publikon çdo tre muaj dhe asgjë më shumë. Në këtë situatë, edhe nëse angazhojnë ekspertë nuk do të jenë në gjendje të realizojnë kontroll të vërtetë. Unë si drejtoj këmbëngul që të kemi kontroll të plotë dhe të kompletuar. Jo vetëm sa urdhëra për përgjim janë realizuar por se cilat numra ndiqen, mënyrën se si ATO-ja është formatuar, a punojnë pajisjet tona në përputhje me rregullat. Ky lloj i kontrollit mungon akoma”-pohoi Zoran Angellovski, drejtor i ATO-së.
Kolegu i tij, Viktor Dimovski, drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, nuk ndan të njëjtin mendim. Ai është i kënaqur nga kontrolli i deritanishëm i trupave mbikëqyrës.
Përvoja jonë, për dallim nga ATO-ja, është pozitive. Vetëm në tre muajt e parë kishim gjashtë takime vetëm me trupat kompetent parlamentar dhe këtë e shohim si përparësi. Kjo është më shumë se të gjithë drejtorët e tjerë në të kaluarën por ne vlerësojmë se ky është një proces i mirë”-tha Viktor Dimovski, drejtor i ASK-së.
Këshilli qytetar i përbërë nga ekspertë dhe i cili duhet të ketë rol mbikëqyrës, në fakt, thotë se nuk ka shumë kompetenca mbikëqyrjeje.
Këshilli qytetar dorëzon kërkesë, potencoj kërkesë, nuk bën kontroll, nuk bën mbikëqyrje, por vetëm bën kërkesë deri te komisioni parlamentar që ai të mbikëqyrë. Nëse konstatohet ndonjë keqpërdorim, Këshilli civil detyrohet ta dërgojë te prokuroria dhe përsëri nuk ka asnjëfarë përzierje në zbatimin e funksioneve të caktuara. Cilido që të dojë t’i drejtohet Këshillit, nuk ka mundësi ta bëjë këtë, nuk kemi ueb-faqe, nuk kemi absolutisht asgjë”-theksoi Margarita Caca Nikollovska, Këshilli qytetar.
Reformat në shërbimet e sigurisë janë mbështetur edhe nga Qendra e Gjenevës për Qeverisjen e Sektorit të Sigurisë “DCAF”, të cilët ishin edhe organizator të debatit.
Këto ndryshime kanë hapur rrugën për një agjenci të sigurisë dhe inteligjencës më të përgjegjshme dhe më profesionale dhe kanë rritur respektimin e sundimit të së drejtës, privatësisë dhe të drejtave të njeriut. Të jeni të sigurt që këto reforma do ta sjellin Maqedoninë e Veriut më afër aspiratave të integrimit euro-atlantik”-tha Tomas Gerber, drejtor i DCAF.
ATO-ja u themelua më 1 nëntor të vitit 2018 si institucion që do të ndërmjetësoi sinjalin për përgjimet kurse në vend të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, më 1 shtator të këtij viti filloi me punë Agjencia për Siguri Kombëtare. Edhe kjo e fundit ka të drejtë për ndjekje të komunikimeve me masa dhe pajisje të veçanta, në raste të parashikuara me ligj.
Fatlume Dervishi
Loading…