Alsat 2020-04-09T15:47:02+02:00
46 raste të reja me virus korona në vendin tonë i janë shtuar numrit të përgjithshëm të të infektuarve, i cili ka mbërritur në 663. Siç informon Ministria e Shëndetësisë shpërndarja gjeografike e rasteve të reja është: Kumanovë 13 raste nga të cilat 6 janë pjesë e personelit mjekësor, Shkup 12, Prilep dhe Veles nga 8 raste, Strugë 2, Tetovë, Koçan dhe Probishtip nga një rast. Probishtipi është qyteti i 19 në listën e qyteteve ku tashmë janë regjistruar persona të prekur nga COVID-19. Në këtë listë Shkupi dhe Kumanova, tashmë disa javë vazhdojnë të kenë numrin më të lartë të personave të sëmurë, respektivisht 273 dhe 143, ndërsa në Dibër sot nuk pati raste të reja. Gjatë 24 orëve të fundit nuk janë regjistruar viktima. Ministria e Shëndetësisë zyrtarisht informoi që lehona 27 vjeçare nga Kumanova, e cila kishte rezultuar pozitive, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, dje ndërroi jetë. Ministri Filipçe informoi se edhe i burgosuri që ndërroi jetë në burgun e Shutkës, ka rezultuar pozitiv.
I burgosuri që vuante dënimin në burgun e Shutkës që ndërroi jetë nga sulm në zemër, pas testimit për virus korona ka rezultuar pozitiv. Tani bëhet anketë epidemiologjikë me të gjithë që kanë qenë në kontakt me të. Gjithashtu në shtëpinë e të moshuarve në Manastir është përkeqësuar gjendja e njërit prej të moshuarve, i cili është shtruar në spital dhe pas testimit ka rezultuar pozitiv. Do të testohen të gjithë personat që kanë qenë në kontakt me të- deklaroi Venko Filipçe- ministër i Shëndetësisë
Ministri Filipçe informoi se katër persona të infektuar, në ritestimin e parë kanë rezultuar negativ, mirëpo duhet të priten edhe rezultatet e testit të dytë, për të parë nëse janë shëruar. I pari i dikasterit të Shëndetësisë tha se numri i personave të shtruar në klinikën infektive në Shkup ka mbërritur në 68, pasi 5 pacient janë pranuar mbrëmë. 7 prej tyre janë në gjendje më të rëndë shëndetësore. Gjatë ditë natës së kaluar janë bërë gjithsej 341 testime, ndërsa numri i testimeve të bëra deri tani është 6571. Numri i të shëruarve është 35, ndërsa numri i viktimave në vendin tonë është 30. Filipçe tha se pas kalimit të periudhës kulminante, qytetarët do të mund t’i kthehen jetës normale, megjithatë theksoi se kjo nuk mund të ndodhë menjëherë, por gradualisht, pasi ekziston rreziku edhe për një valë të dytë të shpërthimit të virusit.
Përgatiti: Evi Shkopi
Loading…