Alsat 2020-01-23T11:11:25+01:00
Gjykimi për rastin “Reket” është anuluar për më 27 janar të vitit 2020 pasi në seancën e sotme ish prokurorja speciale, Katica Janeva përsëri është paraqitur pa mbrojtësit e saj, avokatët Delo Kadiev dhe Irena Fërçkovska.
Me faktin se bëhet fjalë për lëndë serioze me paraburgim, gjykatësja Vaska Nikollovska- Masevska e ka ftuar Janevën të prononcohet nëse do të angazhojë avokat tjetër, pasi anulimi i këtillë është i papranueshëm.
“Unë kam mbrojtës. Vetëm atë mund ta them”, ka thënë Janeva.
Gjykatësja ka reaguar se mund të vazhdojë dhe me ndonjë nga zyrat e avokatëve të mbrojtësve të saj ose në rast të fundit me avokat në rrugë zyrtare.
“Nëse edhe të hënën nuk paraqitet mbrojtja e Janevës, gjykata do të kërkojë nga kryetari i Gjykatës të vendos mbrojtës në rrugë zyrtare”, ka deklaruar gjykatësja Nikollovska- Masevska.
Rasti ndodhet në procedurë dëshmimi dhe në seancën e sotme duhej të dëshmonte ish-prokurorja Publike Speciale, Lile Stefanova, e cila e udhëheq hetimin për rastin “Perandoria”.
Deri më tani si dëshmitarë dëshmi kanë dhënë zëvendësja e Ish-Prokurore Publike Speciale, Katica Janeva, Elizabeta Josifovska, biznesmeni Orce Kamçev, bashkëshortja e tij Ana Kamçeva, kontabilistja në kompanitë private të familjes Kamçev, gazetari Hristian Banevski i televizionit 1TV dhe të tjerë.
Prokuroria Publike Themelore për përndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në tetor të këtij viti shtroi aktakuzë kundër Bojan Jovanovskit, Katica Janevës dhe Zoran Milevskit.
I akuzuari i parë Jovanovski dyshohet se ka kryer vepër penale “larje parash dhe të ardhura të tjera si vepër penale”, ndërsa Janeva dhe Milevski për “pranimin shpërblimit për ndikim të jashtëligjshëm”. E akuzuara e dytë Janeva ngarkohet edhe se ka kryer vepër penale “keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe autorizimit”.
Në seancën e parë për rastin “Reket”, që u mbajt më 3 dhjetor vitin e kaluar, i akuzuari i tretë Zoran Milevski-Kiçeec e pranoi fajin, me ç’rast u dënua me tre vjet burg.
Loading…