Rekomandohet anulimi i kriterit për gjuhë të huaja për studentë

Rekomandohet anulimi i kriterit për gjuhë të huaja për studentë

Studentët të cilët iu drejtuan Universitetit të Prishtinës për studime të ciklit të dytë e të tretë, vitin që shkoi patën një kriter shtesë. Secili do të dorëzonte një certifikatë si dëshmi që njihte gjuhë të huaja.

Megjithatë lista e subjekteve që gëzonin të drejtën e testimit dhe certifikimit të studentëve, ishte mjaftë e ngushtë.

Ky kriter u përcaktua me anë të një udhëzimi administrativ të nënshkruar më 16 mars të vitit 2018. E pothuajse një vit pas, Inspektorati i Arsimit po thotë që ky udhëzim administrativ bie në kundërshtim me ligjin.

Kësisoj nga ky institucion kanë kërkuar që ky vendim të shfuqizohet, pasi që bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin mbi Arsimin e Lartë.

 “Kryeministri i Republikës së Kosovës të shfuqizojë/anulojë Udhëzimin Administrativ për gjuhët e huaja në programin e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë; Organet kompetente të arsimit të lartë, pranimin e studentëve ta bëjnë sipas kritereve të përcaktuara me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Statutet e institucioneve të arsimit të lartë” thuhet në raportin e dy inspektoreve të arsimit.

Se kanë pranuar një rekomandim të tillë e ka konfirmuar edhe prorektori për mësim dhe çështje për studentë, Hysen Bytyqi.

“Kemi marrë një vendim të nxjerrë nga Inspektorati i Arsimit të cilët kanë dhënë rekomandime që dokumenti duhet të shfuqizohet. Brenda së njëjtës ditë kemi marrë një kërkesë për shfuqim e momentalisht jemi duke pritur për veprime nga Qeveria” ka thënë Bytyqi.

Bytyqi ka thënë që nga Universiteti i Prishtinës qysh në fillim kanë pasur vërejtje sa i përket këtij udhëzimi, prandaj ka një kërkesë.

“E shoh të arsyeshme që para se të shfuqizohet, dokumenti të pezullohet për një kohë të caktuar dhe të merren me të njerëz të cilët kanë përvojë në zhvillimin e dokumenteve” ka thënë ai.

Pas shfuqizimit të këtij udhëzimi administrativ, të gjithë bartësit e arsimit të lartë do të duhet ta anulojnë kriterin për regjistrimin e studentëve në nivelin e dytë dhe të tretë.

Televizioni T7 ka tentuar që të marrë një përgjigje nga zyrtarë të Ministrisë së Arsimit në lidhje me shfuqizimin e këtij vendimi por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.