Reuters: Franca kundërshton bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, negociatat nuk hapen në tetor 2019

Reuters: Franca kundërshton bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, negociatat nuk hapen në tetor 2019

Franca kundër çeljes së negociatave në tetor për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kështu shkruan agjencia e lajmeve Reuters, teksa thekson se Franca kërkon rivlerësim në vitin 2020.
Sipas Reuters, Franca thotë se BE po përballet me shumë sfida.

“Franca është shprehur kundër fillimit të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë tani për tani, thanë burime diplomatike për Reuters, duke hedhur një hije mbi ambicien e vendeve për t’u integruar me Perëndimin”.

Më shumë se gjysma e 28 vendeve anëtare të BE-së, si dhe zyrtarët e saj të lartë në Bruksel, po përpiqen të shpërblejnë të dy shtetet e Ballkanit për reformat duke rënë dakord për të filluar bisedimet e pranimit.  Ministrat e BE do të diskutojnë çështjen përsëri në Luksemburg të martën para se liderët të takohen në Bruksel për një samit në 17-18 tetor.

“Kjo është shumë zhgënjyese për shumicën e vendeve anëtare. Besueshmëria jonë është në diskutim,”-tha një diplomat nga një vend i gatshëm të hapë dyert për vendet kandidate në Ballkanit Perëndimor.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë shumë. Po, mbetet shumë më tepër për të bërë, por hapja e bisedimeve për anëtarësim është vetëm hapi i parë, procesi do të zgjasë me vite dhe ata do të duhet të plotësojnë të gjitha kriteret para se të pranohen. ”

Burimet thanë se Hollanda dhe Danimarka ishin gjithashtu qartë kundër ofertës së Shqipërisë kur ambasadorët e BE diskutuan çështjen prapa dyerve të mbyllura në Bruksel të enjten, megjithëse Hollandezët kanë sinjalizuar fleksibilitet të mundshëm për Maqedoninë e Veriut.