Revista e famshme “News Growl” shkruan për Vlora Çitakun: Ambasadorja më me stil në Uashington

Revista e famshme “News Growl“, e ka cilësuar ambasadoren kosovare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitakun, si ambasadoren më me stil në Uashington.

“Në botën e diplomacisë globale, përshtypjet e para numërohen. A ka dikush në trupin diplomatik të Uashingtonit stilin aq unik sa Vlora Çitaku?”, me këto fjalë nis shkrimin revista “News Growl”.

Sipas revistës në fjalë, Vlora i kishte thënë dikur një gazetari se po shpresonte të kapërcente stereotipin që të gjithë politikanët në Kosovë duhet të jenë të moshuar, dhe kryesisht meshkuj.

“E gjallë, magjepsëse dhe dinamike, Çitaku ka bërë një rrugë të gjatë që kur ishte refugjate si adoleshente gjatë Luftës së Kosovës”, janë disa nga fjalët me të cilat “News Growl” e përshkruan ambasadoren Çitaku.

“Marrëdhëniet me Amerikën janë veçanërisht të rëndësishme për kosavarët për shkak të rolit të rëndësishëm që Ushtria Amerikane luajti në dhënien fund të luftës së Kosovës”, citohet në artikullin e revistës.

Shkrimi vazhdon me një deklaratë të vet Vlorës, e cila është shprehur se një të ardhme të tillë nuk e kishte imagjinuar kurrë.

“Nëse dikush do të më kishte thënë 18 vjet më parë, gjatë kohës kur unë isha refugjate, se një ditë unë do të bëhesha ambasadore, nuk do ta kisha imagjinuar se kjo mund të ndodhte me të vërtetë”, është shprehur Çitaku.

“Kush tha se anëtarët e trupit diplomatik nuk mund të veshin xhinse? Çitaku krijoi këtë kombinim të modës duke i bashkuar xhinset me ngjyrë të lehtë, me një këmishë të butë krem dhe një shall mëndafshi. Është vërtet e mahnitshme se si një përzierje e stileve krejtësisht të kundërta mund të rezultojë me një ‘look’ të tillë të modës”, janë fjalët me të cilat revista vlerëson lartë stilin e ambasadores sonë.

“Nëse ajo ndonjëherë vendos të heqë dorë nga politika, Çitaku lehtë mund të punojë si një influencuese e modës ose modele. Po, ka një përzierje të guximshme të ngjyrave në veshjet e saj, një ambasadore e cila është aq elegante dhe joshëse gjithmonë”, përfundon shkrimin e saj për ambasadoren Çitaku, “News Growl”. /Telegrafi/