Rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë – gjithçka që ndodhi gjatë seancës së Kuvendit

Rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë – gjithçka që ndodhi gjatë seancës së Kuvendit

Kuvendi i Kosovës në seancën e mbajtur të enjten ka miratuar rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë. Kjo rezolutë u miratua me 79 vota për dhe asnjë kundër.

Seanca e Kuvendit nisi me diskutimet mes deputetëve dhe kryetarit të Kuvendit për t’u ndryshuar rendi i ditës, saktësisht për t’u larguar pika për deklarimet jashtë rendit të ditës dhe për të kaluar menjëherë tek pika ku do të shqyrtohej propozim-rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë. Mirëpo një kërkesë e tillë e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, nuk u miratua nga opozita, e cila kërkoi që seanca të zhvillohet ashtu siç është rendi i ditës.

Pas deklarimeve të rendit të ditës, koha i erdhi shqyrtimit të propozim-rezolutës për gjenocidin serb.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka prezantuar projektrezolutën për gjenocidin e kryer serb në Kosovë, ku ka thënë se kjo rezolutë është bërë me qëllimin që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë së krimeve të Serbisë në Kosovë.
Ai tha se është hapi i parë drejt ndërtimit të një rrëfimi të përbashkët të shkruar të gjithëve se çka është dhe si quhet i tërë ai krim që ka ndodhur në Kosovë, i tërë ai krim, të cilin e kanë kryer forcat e aparatit represiv të Serbisë në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në këtë seancë tha se të gjithë ata që kanë kryer gjenocidin serb duhet të dënohen përmes një Tribunali ndërkombëtar. Për gjithë neglizhencën njëzet vjeçare, kryeparlamentari u shpreh kritik dhe ndaj faktorit ndërkombëtar. Ai gjatë mbajtjes së seancës për gjenocidin serb në Kosovë tha se mungesa e drejtësisë është plaga ma e madhe që iu është bërë viktimave të luftës në Kosovë.

Përfaqësuesit e grupeve parlamentare duke e quajtur si të vonuar këtë rezolutë, kanë thënë se është e vështirë të krijohet një Tribunal.

Por, ajo që morri vëmendjen e gjithë kësaj seance ishte deputetja nga radhët e PDK-së, Flora Brovina, e cila ka shfaqur në ambientet e Kuvendit të Kosovës një fotografi të një gruaje duke u dhunuar.

Brovina në deklarata e saj ka thënë se kjo grua është dhunuar nga forcat serbe në një vend të Kosovës. Madje, deputetja Brovina gjatë kësaj seance ka shfaqur edhe një fotografi të një vajze 7 vjeçare që sipas Brovinës, ka vdekur duke e dhunuar forcat serbe.

Kjo fotografi mori vëmendjen nga të gjithë deputetët, shoqëria civile dhe përfaqësues të tjerë të shoqatave të ndryshme.

Deputetetja nga LVV, Saranda Bogujevci, iu drejtua Brovinës duke i thënë se është e padrejtë që e shfaqi në atë mënyrë fotografinë e asaj gruaje. Bogujevci madje në këtë seancë tha se ka marrë kërkesë nga familjarët që të largohet fotografia.

Nuk ishte vetëm deputetja Bogujevci, ajo që reagoi ndaj shfaqjes së fotografisë nga deputetja Brovina. Edhe ish-Presidentja Atifete Jahjaga ka reaguar duke e Jahjaga kritikuar ashpër deputeten Brovina. Jahjaga ka thënë se publikimi i fotografisë është jo etik, joligjor, e jonjerëzor.

Reagime të shumta ka pasur edhe nga shoqatat e grave. Rrjeti i grupit të grave të Kosovës ka thënë se deputetja Brovina me këtë veprim ka shkelur parimin e dinjitetit të të mbijetuarave, duke kujtuar se përmes kësaj fotografie është zbuluar edhe trupi i të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Po ashtu, QKRMT ka thënë se të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë janë tepër të shqetësuar dhe të indinjuar pas publikimit të këtyre pamjeve.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duke komentuar fotografinë e publikuar është shprehur se institucionet e Kosovës gjithmonë do të qëndrojnë pranë viktimave të dhunës seksuale. Shefi i ekzekutivit tha se për gjithë ata që i mohojnë krimet e luftës dhe që janë të përfshirë në to nuk kanë vend në institucione.
Pas të gjitha këtyre reagimeve, deputetja Brovina në një prononcim dhënë mediave ka thënë se fotografinë e ka publikuar pasi që është konsultuar me institucionin i cili ia ka dhënë. Ajo madje ka thënë se edhe familjarët janë në dijeni që do ta shfaqte.

Por, pas miratimit të kësaj rezolute, shpërtheu një lajm tjetër. Fotografia që u publikua nga deputetja Flora Brovina dyshohet se nuk është e luftës së Kosovës. Me një klikim në Google, Telegrafi ka kuptuar se fotografia që ka zbuluar Brovina, ngjall dyshimet se nuk ka të bëjë me luftën e fundit në Kosovë, por ndërlidhet me një skenë ponografie në Irak.

Pas këtyre lajmeve, ka reaguar deputetja Brovina, duke thënë se fotografia është bërë në Kosovë, ndërsa sipas saj informatat tjera të gjitha janë rrenë. Ajo madje ka thënë se Serbët kanë incizuar filma me gratë e dhunuara, i kanë përdorur edhe në filma pornografik. Brovina ka theksuar se është e gatshme të jap informata më të detajuara në Prokurori lidhur me këtë rast.

E pas këtij lajmi sërish janë ngjallur reagime, madje edhe më të ashpra edhe nga shoqëria civile.
Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se nëse fotografia e prezantuar nga zonja Brovina në Kuvendin e Kosovës është e rreme, do të dëmtohet rëndë kauza e Kosovës.

Edhe Vasfije Krasniqi Goodman – aktiviste e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës-QKRMT, ka reaguar duke iu kërkuar që të mos provokohen ndjenjat e tyre. Ajo ka thënë se duan drejtësi, dhe jo që përsëritet krimi në çfarëdo forme.
Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli u ka bërë thirrje deputetëve që mos të bien të gjithë në lajthitje të ndonjë lufte speciale, por sipas tij të qëndrojnë të fokusuar tek iniciativa për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet serbe. Ai tha se të gjithë e dinë se Serbia ka kryer vrasje, masakra dhe dhunime në Kosovë.

Ndryshe sot në seancën e Kuvendit të Kosovës u miratua edhe rezolutën për Këndin e Kurajës, e propozuar nga deputetja Donika Kadaj Bujupi.

Përmes kësaj rezolute punimet e prodhuara nga viktimat e dhunës seksuale do të ekspozohen në sa më shumë hapësira të institucioneve tona.

Të ardhurat nga shitja e këtyre punimeve ndihmojnë ekonominë familjare të kësaj kategorie ndërsa ekspozimi i punimeve është treguesi më i mirë i tmerrit që ata kanë përjetuar. Kjo rezolutë të hyjë në fuqi në ditën e miratimit të saj dhe e njëjta të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës./Telegrafi/

TAGS