Rikthehet turizmi në Prespë, nevojiten kapacitete akomoduese

Rikthehet turizmi në Prespë, nevojiten kapacitete akomoduese

Bregu i Prespës edhe këtë sezon turistik ka vizitueshmëri maksimale. Kapacitetet turistike edhe pse në numër të vogël janë plotësuar deri në shtratin e fundit.

Kryetari i komunës së Resnjës, Zhivko Gosharevski vlerësoi se Prespa është më e vizituar për fundjava dhe festa, kur kërkohet një shtrat më shumë. Por, në plazh të rregullt janë mysafirët ditorë, të cilët kënaqen me bukuritë dhe përfitimet të cilat i ofron Liqeni i Prespës.

Ai vlerëson se nevojitet rritje e kapaciteteve akomoduese, me çka, siç theksoi në një bisedë për AIM, në mënyrë të konsiderueshme do të përmirësohen kushtet për turistët, ndërsa me të priten më shumë turistë sezonin e ardhshëm.

Ai pret më shumë investime në Prespë dhe rritjen e numrit të shtretërve për sezonin e ardhshëm turistik.

“Për momentin në komunën e Resnjës janë 400 shtretër në akomodimin në hotel dhe 157 shtretër në kapacitetet akomoduese tek personat fizik. Shpresojmë se për sezonin e ardhshëm turistik këto kapacitete do të rriten për të paktën për 10-15 për qind me ndihmën e investimeve të huaja dhe vendore”, tha Gosharevski.

Ai informoi se komuna ka përpiluar Program për stimulimin e turizmit, i cili parasheh urbanizimin e pjesëve të bregut të Prespës, ndërtimin e sistemeve të ujësjellësit për një pjesë të pushimoreve të cilat kanë problem me ujin, pastrimin e plazheve, vendosjen e rendit komunal, asfaltimin e rrugëve qasëse…

“Për zhvillimin e turizmit, krahas bukurive natyrore të cilat i kemi, është shumë e rëndësishme edhe infrastruktura, e cila do t’u ofrohet investitorëve dhe turistëve”, shtoi kryetari i komunës së Resnjës.