Rooney e zbulon dobësinë e Rashfordit

Ish-sulmuesi legjendar i Manchester Unitedit, Wayne Rooney, pretendon se Marcus Rashfordi është sulmues fantastik, mirëpo ai duhet t’i përmirësojë goditjet me kokë për t’u zhvilluar edhe më shumë si futbollist.

Rooney, i cili tani luan për DC Unitedin, është adekuat për të dhënë këshilla për shënimin e golave, pasi që ai është golashënuesi më i mirë në histori të Manchester Unitedit dhe të Anglisë, transmeton Gazeta Express.

Anglezi kishte qenë pjesë e skuadrës së “Djajve të kuq” për 13 sezone. Gjatë kësaj periudhe në “Old Trafford”, 33-vjeçari i kishte shënuar plot 253 gola.

Rooney kishte luajtur përkrah disa prej sulmuesve më të mirë të Premierligës, përfshirë këtu edhe Rashfordin, për të cilin Rooney pretendon se është përmirësuar vazhdimisht gjatë sezoneve të fundit.

“Ai ka pak nga gjithçka. Ai është i shpejtë, i fuqishëm. E vetmja gjë në të cilën mund të punojë më shumë janë goditjet me kokë”, ka thënë ish-kapiteni i Manchester Unitedit në një intervistë për talkSport.

“Ai është fantastik. Ai ka shumë aftësi dhe është e mrekullueshme ta shohësh atë në formë kaq të mirë. Ai e ka një të ardhme të ndritur për Manchester Unitedin dhe Anglinë”. /Gazeta Express/

TAGS