Rrahje, vjedhje e ngacmime/ Shkatërrohet banda me shqiptarë të mitur në Itali

Rrahje, vjedhje e ngacmime/ Shkatërrohet banda me shqiptarë të mitur në Itali

Disa persona të mitur në Itali, kishin arritur që të formojnë një bandë të vërtetë, të quajtur “Hellbanianz”, që me fjalë të tjera do të thotë “ferri shqiptar” dhe kanë kryer kërcënime, zhvatje, ekspedita ndëshkimore, grabitje, vjedhje dhe ngacmime.

Anëtarët e bandës nuk janë të rritur, por fëmijë. Tre nga ta ndodhen tashmë në një burg për të mitur në Piemonte, ndërsa 18 janë nën hetim. Nga 18 persona që janë nën hetim, 13 janë në moshë të mitur, shkruajnë mediat italiane.

Mësohet se agresorët kanë kryer një sërë krimesh, duke funksionuar si një bandë e vërtetë. Ata vidhin çanta të njerëzve, sidomos të personave të vegjël në moshë. Anëtarët e bandës në një rast kishin ngacmuar një vajzë të re në mënyrë serioze, ndërsa për ta mbrojtur kishte dalë një shtetas i ri.

Personi që donte të mbronte vajzën u rrah në mënyrë brutale. Ndërsa, disa nga sulmet e bandës janë publikuar në rrjetet sociale, ku viktimat janë trajtuar në mënyrë tallëse. Një tjetër i mitur u plagos rëndë pasi u godit në fytyrë nga të miturit.

Në burg janë lënë 3 persona nga banda, që besohet se janë drejtuesit e veprimtarisë kriminale. Edhe pse 3 “kapo-bandot” janë tashmë në burg, policia beson se grupi ka kryer më shumë krime.