Rrëfim ekskluziv i Lazim Destanit: Takimi im i fundit me Azem Shkrelin

Rrëfim ekskluziv i Lazim Destanit: Takimi im i fundit me Azem Shkrelin

Shkruan Bajrush Morina – Botapress – Aeroplani i fluturimit nga Dortmundi i Gjermansë për në Prishtinë, më 27 maj të vitit 1997 po e sillte për herë të fundit në Kosovë një udhëtar të veçantë. Ky udhëtar zbriti lehtë shkallëve të aeroplanit në Aeroportin e Prishtinës, u skajua pak nga rreshti i udhëtarëve, u ulë në tokë, puthi tokën dhe iu lut asaj (tokës) që tash e tutje t’ia bënte një vend edhe atij…Prej atij momenti shpirti i Azem Shkrelit u ngjit te Engjujt në qiell e trupi i tij (Guri i rëndë peshon në vend të vet) pushoi i qetë në tokën e vendit të vet, në Kosovë! Azem Shkreli shkoi në amshim dhe u bë i pavdekshëm!

Më 7 korrik të vitit të kaluar – 2018, rastësisht (rasti mbret i botës) po merrja pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Flamurit amerikan për biznesmenin dhe filantropin e njohur shqiptar Lazim Destani, nga kongresmeni Eliot Engel. Ceremonia e dorëzimit të flamurit amerikan u mbajt në selinë e Kongresmenit Engel në Nju Jork pasi muaj më parë ishte votuar propozimi për këtë dekoratë për z Destani nga Kongresi amerikan në Uashington.
Pasdite në një nga restoranet më luskoze të Nju Jorkut, gjatë një dreke të përbashkët, bashkë me gazetarin e botuesin e gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria” z Vehbi Bajramin dhe bashkëpunëtorët e z.Destani po dëgjoja një rrëfim sa interesant aq edhe mbresëlënës. Fjala ishte për Azem Shkrelin!

Kështu përveç Vehbiut, miku ynë i përbashkët doli të jetë edhe Azem Shkreli.
“Një ditë më parë Azemi erdhi në zyrën time në Dortmund dhe më tha: Lazim ma prej një biletë njëdrejtimëshe për Prishtinë!, I thashë pse një drejtimëshe, merre kthyese, shko rri sa të duash, tako familjarët e miqtë e tu e kthehu! Jo, më tha, Lazim kësaj here dua biletë një drejtimëshe! Në raste të tilla Azemi ishte pak kokëfortë”, nisi rrëfimin e tij Lazim Destani, biznesmen, filantrop i njohur shqiptar e mik i ngushte i Azem Shkrelit.
“Ishte e kotë të ktheja mendjen Azemit. Ai këmbënguli që bileta të jetë njëdrejtimëshe! Të nesërmen më 27 maj të vitit 1997 e përcolla në Aeroport, e ula në ulëset e përparme të Aeroplanit dhe i thashë: Kthehu mos u vono! Rri sa të duash dhe kur të mërzitesh atje, ma bën një telefon dhe ta bëj gati biletën për kthim! Ai vetëm luante kokën në shenjë pohimi dhe më falënderonte me buzëqeshjen e tij karakteristike për pritjen dhe përcjelljen që po i bëja atij…E ndjeja se Azemi nuk dukej si më parë…më dukej pak më i qetë se herave tjera, fliste shumë pak dhe herë pas here shiqimin e trette jashtë dritareve të aeroplanit. U përshëndetëm para se të nisej aeroplani. Unë zbrita e ai u ngrit në qiell…Ky ishte takimi im i fundit me Azemin. Unë pata fatin e dhimbshëm që të jem personi i fundit që u përshëndeta me Azem Shkrelin para se ai të shkonte në amshim!”.
Ky rrëfim i Lazim Destanit më ka mbushur sytë me lot. Lazimi po fliste qetë dhe herë pas herë me plot mallëngjim për Azemin dhe unë po e dëgjoja këtë rrëfim për herë të parë, për një takim të fundit dhe për një ndarje të fundit të Azemit nga ne, nga kjo botë!

Rreth 4 vjet më parë, më 1993, kisha patur fatin që të takoja dhe të miqësohesha me Azemin në Munih të Gjermanisë. Bashkë me mikun tim Sokol Topallin, madje në një moment u kujdesëm edhe për shëndetin e Azemit. Kur Lazim Destani përmendi fjalën “…kokëfortë” mu kujtua një moment i rëndësishëm i jetës së Azemit në marsin e vitit 1993. Ai po kollitej rëndë, kishte temperaturë dhe rrinte gjithë kohë i shtrirë në dhomën e tij në vilën Valberta të Tucingut në periferi të Munihut. Kishte fituar bursë për një qëndrim 6 mujor nga Ministria për Kulturë e Bavarisë së Gjermanisë. Unë pata fatin që ato ditë të qndroja me Azemin. E shihja se nuk ishte mirë. Disa herë i thoja; “Azem hajde shkojmë te mjeku!

Hajde burrë gjysmë ore punë, ta jep ndonjë hap a barnishte dhe të kalon! Shkojme të një doktoreshë, jo te ndonjë doktor gjerman me qehre të rëndë!!!” Ai nuk lëvizte nga shtrati. Ashtu i shtrirë, vinte dorën mbi ballë dhe më thonte: “Jo he burrë se kalon! A shkon tan ky burrë të mjeku!”
Kur një ditë e pa se ishte lodhur së tepërmi, më tha: “A të shkojmë djalo të ajo doktoresha e bardhë…vec thuj asaj se nuk merrë “gjilpana”, një burrë si unë nuk “shpohet me gjilpana” nga një grua doktoreshë” dhe në fytyrën pak të zbehur u shfaq një fije buzëqeshje. Atëbotë Azemi e mori veten.
Lazim Destani fliste sa me krenari aq edhe me mall për Azemin. E kishte mik për krye kreje. Njiheshin prej shumë vitesh. Azemi në Gjermani e kishte derën e hapur gjithë kohën te Lazimi. Ishin miq të vjetër.
Kjo fotografi që po e botojmë për herë të parë flet për miqësinë e përhershme të Lazim Destanit me Azem Shkrelin.
Në 22 vjetorin e amshimit të Azemit, të gjithë ndjejmë dhembje, mallëngjim por edhe krenari për jetën edhe veprën e Azemit. Familjarët ia lënë ende një vend në sofër, miqtë e tij poetë edhe sot thurin vargje për Azemin e Lazim Destani edhe sot e kësaj dite e ka “pikë në zemër” pse nuk ia preu biletën kthyese Azemit, së paku ta kthente edhe njëherë të gjallë në Dormtund të Gjermanisë!

Rrëfimet për Azemin nuk kanë të ndalur ashtu siç vargjet e tij nuk ndalin rrjedhën e tyre në rrjedhat e letërsisë shqipe./botasot