Rrëfimi i të mbijetuarit të masakrës së Dubravës – Sadik Zeqiri, njeriu që në trup ka plumbin që nga ajo kohë (Video)

Rrëfimi i të mbijetuarit të masakrës së Dubravës – Sadik Zeqiri, njeriu që në trup ka plumbin që nga ajo kohë (Video)

Më 19 -24 maj të vitit 1999, ndodhi një krim i planifikuar i pushtetit serb në burgun e Dubravës. Pushteti serb në atë kohë kishte informata se do të bombardohet ky kompleks. Nga burgjet e ndryshme të Serbisë e të Kosovës sillen të burgosurit politikë shqiptarë. Qëllimi ishte i qartë: që ata të vriten nga bombat e NATO-s dhe nga vetë forcat serbe, për të fajësuar pastaj aleancën perëndimore.

Krimet më makabre që kanë ndodhur në këtë burg i përshkruan edhe një nga të mbijetuarit e kësaj masakre, ish-pjesëtari i UÇK-së Sadik Zeqiri.

Ai ishte i burgosur në burgun e Pejës, shtatë muaj para se të transferohet në Burgun e Dubravës.

Në mëngjesin e 15 marsit të vitit 1999, Zeqirin dhe shokët e tij i transferuan për në Burgun e Dubravës.

“Na kanë ardhë gardianët nëpër dhomat tona në burgun e Pejës dhe na kanë thënë që t’i përgatisim plaçkat sepse do të transferojnë nëpër burgjet tjera. Kishim informacione se ndoshta po arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, e cila po mbahej në Paris dhe Rambuje, që ndoshta po na mbledhin e Burgun e Dubravës dhe do të na lirojnë menjëherë. Këtë informacion e kanë pasur të gjithë të burgosurit. Por qëllimi i Serbisë kishte qenë ndryshe. Na kanë transferuar më 15 mars 1999 dhe çdo ditë kanë sjell të burgosur nëpër burgjet tjera”.

Pjesa e jashtme e pavijonit B3 të bombarduar nga NATO (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

Tmerret e masakrës dhe krimet në Burgun e Dubravës, kanë filluar më 19 maj 1999 dhe kanë zgjatur deri më 24 maj.

Më 19 maj, NATO filloi bombardimet e para në Burgun e Dubravës, ku mbeten të vrarë tre të burgosur dhe disa të tjerë të plagosur.

“Ato ditë janë të pa harruara, pasi të gjithë të burgosurit – 950 i kemi përjetuar ato tmerre, ku forcat e NATO-s bombarduan burgun. Pavijoni i parë që u bombardua ishte ai ku kam qenë unë bashkë me 200 të tjerë, pavijoni ‘C’.  Tre të burgosur janë vrarë në atë bombardim dhe ka pasur disa të plagosur. Gjatë ditës ka pasur dhe bombardime të tjera. Atë ditë kanë qenë 3 të vrarë dhe disa të plagosur”

Mirëpo, tmerret për të burgosurit nuk mbarojnë, pasi më 22 maj ndodhi masakra më e madhe, “ekzekutimi i të burgosurve”.

“Më datën 22 maj, e cila është dita më e tmerrshme për të gjithë të burgosurit ku janë vrarë rreth 80 të burgosur, na kanë rreshtuar në një fushë sportive, ku na është thënë që meqë nuk ka kushte në burgun e Dubravës do të në transferojnë diku tjetër. Jemi rreshtuar dhe kush ka qenë në rreshtin e parë të gjithë të burgosurit kanë vdekë.  Ata kanë gjuajt me armë, bomba dhe çka kanë pasur. Nga të gjitha anët ne kemi qenë të pambrojtur duke u fshehur pas njerëzve të vdekur për tu mbrojtur”.

Sadik Zeqiri rrëfen përjetimet e masakrës së Dubravës

Disa nga të burgosurit për t’ju ikur sulmeve të gardianëve serbë, kishin gjetur strehim tek ngrohtorja e burgut, duke e ftuar edhe Zeqirin të shkoj me ta. Mirëpo “fat në fatkeqësi”, Zeqiri nuk arriti të strehohet më të burgosurit tjerë, të cilët mëngjesin e 23 majit gjetën vdekjen nga armët e gardianëve serbë.

“Dy shokë të dhomës time janë vrarë. Më 22 maj pasi ndodhi rasti tek fusha sportive, shokët e mi e kishin gjet një vend tek ngrohtorja dhe e kishin mbushur me sfungjerë për të flejtë. Më kanë ftuar dhe mua, por meqë i kisha dy të fshatit tim, doja t’i gjeja dhe të shkonim të gjithë së bashku, por nuk i gjeta. Dhe mbeta duke i kërkuar, më pas të burgosurit shkuan për të flejtë në atë vend, në ngrohtore. Të nesërmen në mëngjes, më 23 maj, të gjithë ata 16 persona që kanë qenë në bodrumin e ngrohtores i kemi gjet të vrarë. Paramilitarët kanë hyrë, i kanë gjet në gjumë dhe i kanë vrarë. Përpos dy që kanë dëgjuar zhurmën dhe kanë hyrë nëpër disa kazana të ngrohtores. Por të shkoja dhe unë do ta kisha fatinë  shokëve të mi”, vazhdoi rrëfimin  e tij për Telegrafin, Sadik Zeqiri.

Puseta ku strehoheshin të burgosurit e ku forcat serbe hidhnin bomba dore (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

Edhe Zeqiri ka qenë njëri nga të plagosurit e asaj masakre, i cili edhe sot e kësaj dite e mban plumbin si kujtim të asaj kohe në trupin e tij.

“Në burgun e Dubravës kanë pas të gjithë kujdes ndaj të plagosurve, mirëpo aty duhet të veçohet Bislim Zogaj, dhe një djalë me emrin Frashër, Nait Hasani dhe shumë të tjerë të burgosur. Edhe kanë qenë të guximshëm, por edhe kanë ditë nga mjekësia. Po mos të ishin ata shumë nga ne kishin vdekë. Njëri nga ta jam dhe unë ku ma ofruan ndihmën e parë këta shokë. Jam plagos tek fusha e sportit më datën 22 maj dhe ende e mbaj në bark atë pjesë të plumbit. Kam shkuar tek mjeku, por ngase kam qenë shumë dobët me shëndet nuk ma kanë hequr duke më thënë të vija më vonë. Por unë kam vendosur ta mbaj atë plumb, si kujtim dhe do ta mbaj në bark deri sa të vdes”.

Pamje nga hyrja e kompleksit të Dubravës (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

I pyetur nga Telegrafi se çfarë ka bërë shteti i Kosovës për të gjithë të burgosurit që e kanë përjetuar masakrën e Dubravës, ai tha: “Shteti e ka themeluar një komision që është duke nda disa mjete për ne të burgosurit që kemi mbijetuar, por ai komision është duke shkuar pak ngadalë. Jo vetëm për ne të burgosurit që e kemi përjetuar masakrën e Dubravës, por për të gjithë të burgosurit politik të Kosovës. Tjetër asgjë nuk kanë bërë. Tash kanë dal me një ide për formimin e Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte në Kosovë. Kjo Gjykatë është e vonuar dhe kam frikë se ne 950 të burgosurit që kemi qenë në burgun e Dubravës, veç me rastin e  Dubravës të merret kjo Gjykatë, Serbisë duhet të ia ndaloj që të merret me udhëheqjen e  ndonjë institucioni evropian për 50 vjet. Serbia ka bërë gjenocid në tërë Kosovën, edhe në Burgun e Dubravës ka bërë gjenocid shtetërorë. Masakra e Dubravës është dashur të jetë në top prioritet për Qeverinë e Kosovës”. /Telegrafi/

TAGS