8 March 2018 / 18:42
Rrëshqitja e dheut ka bllokuar rrugën për në fshatin Llomnicë të Komunës së Vrapçishtit. Banorët ankohen se komuna nuk ndërmerr masa në pastrimin dhe mirëmbajtjen e kësaj rruge.
“Në mëngjes nga gjysmë ore jam duke pastruar me dorë për të kaluar me veturën të shkoj në dializë, momentalisht është blloku në tri vende, po me qenë gurë të mëdhenj si do i heq që të shkoj në dializë, duhet ta lë dializën. Ishin të komunës një ditë e pastruan pak por kot, kjo bie çdo ditë. Shiheni atë gurin e madh aty, duhet hequr ai do merr në qafë dikë, nuk jam vetëm unë është i tërë fshati”
“Lëre se na mbyti fukarallëku po edhe rrugët na mbytën. Njerëzit që kanë kaluar në mëngjes aty e kanë pastruar”
“Sot nuk ka marr masa aspak komuna. Ishim atje e lajmëruam, pastaj erdhën e panë dhe thanë që do vinë, por asgjë nuk erdhën – thonë banorët.
Të kontaktuar për problemin në fjalë në komunën e Vrapçishtit, kreu i komunës Isen Shabani përmes telefonit ka deklaruar se, këtë mirëmbajtje apo pastrim të rrugës duhet ta bëj Qendra e menaxhimit me kriza.
Përndryshe, për pasojë të rrëshqitjes së dheut që ndodh kohë pas kohe në rrugën Negotinë –Llomnicë, shpesh ndodh që rreth 600 banorët e këtij fshati të mbeten tërësisht të izoluar, pa mjek dhe pa mundësi për arritje në Negotinë.
Bashkim Sulejmani