Rreth 200 mjekë specialistë të papunë, do të punësohen vetëm 60 prej tyre

Rreth 200 mjekë specialistë po vazhdojnë të presin me muaj ose me vite për t’u punësuar në institucionet shëndetësore të vendit, por këtë vit as një e treta e tyre nuk pritet të punësohet.

Kështu kanë thënë sindikalistët e shëndetësisë, sipas të cilëve, pas miratimit të buxhetit për vitin 2019 pritet të punësohen rreth 60 mjekë specialistë, shkruan Gazeta Zëri.

Mediet kanë raportuar se në fund të dhjetorit 2018 dhjetëra specialistë të mjekësisë i kanë dërguar një letër ministrit të Shëndetësisë Uran Ismailit dhe drejtorit të Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) Basri Sejdiut, nga të cilët kanë kërkuar të shpallin konkurs për punësim, pasi, siç thuhet në këtë letër, pas përfundimit të specializimit po qëndrojnë të papunë në shtëpi.

Sipas kësaj letre të botuar në medie, specialistët mjekësorë ua kanë bërë të ditur Ismailit dhe Sejdiut se shkollimin e tyre e ka financuar shteti i Kosovës, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, ndërsa pas përfundimit të shkollimit specialistik po qëndrojnë të papunë.

“Besojmë se jeni të vetëdijshëm se sa mund dhe sakrificë nevojitet për t’i përfunduar studimet specialistike, ku përpos 6 vjetëve studime bazike në Fakultetin e Mjekësisë nevojiten edhe 4 deri në 6 vjet të tjera për ta përfunduar shkollimin specialistik. Pas gjithë këtij shkollimi superior, përkatësisht 10 deri në 12 vjet, varësisht nga drejtimi i studimeve, mund edhe ta imagjinoni se çfarë ndjenje është qëndrimi në shtëpi dhe pritja për një kohë të gjatë e shpalljes së konkursit publik për punësim?!”, thuhej mes tjerash në këtë letër.

TAGS