6 March 2018 / 14:55
Është rritur në mënyrë drastike numri i fëmijëve me probleme në zhvillimin e të folurit. Nga hulumtimet e fundit rezulton se rreth 60% e fëmijëve përballen me këtë problematikë, thonë nga Lidhja e defektologëve të Maqedonisë. Ndërsa në Institutin për Rehabilitim të të dëgjuarit, të folurit dhe zërit, në Shkup, egzistojnë vetëm 2 departamente ku janë të punësuar vetëm 14 logopedë, numër ky që nuk mund të përmbush nevojat e pacientëve.
Lidhja e defektologëve të Republikës së Maqedonisë në vazhdimësi do t’i përkrahë të gjitha aktivitetet që merren për përmirësimin e cilësisë dhe kushteve që u ofrohen fëmijëve me pengesa dhe në atë drejtim interes të veçantë do i kushtojmë zhvillimit dhe promovimit të veprimtarisë së logopedëve në shoqërinë tonë – tha Goran Petrushev, Lidhja e defektologëve të Maqedonisë.
Ata ua bëjnë me dije politikanëve se sa shumë kanë lënë pas dore këtë kategori të margjinalizuar.
Logopedët në Maqedoni kanë nevojë për formimin e një shoqate të fortë që do të jetë pjesë e shoqatës evropaine të logopedëve. Nevojë për arsim kualitativ në nivel të studimeve akademike. Gjithashtu kanë nevojë të një përfaqësimi të madh të logopedëve në të gjitha nivelet e mbrojtjes shëndetësore – u shpreh Silvana Filipovska- Drejtore e Institutit për rehabilitim.
Ndërsa shumë logopedë të diplomuar shqiptarë janë në kërkim të një vendi të punës, fëmijët shqiptarë po vuajnë mungesën e tyre. Në qendrën për rehabilitim në Shkup është vetëm një logoped shqiptar. Edhe në spitalet e qyteteve të tjera nuk ka të punësuar logoped shqiptar. Logopedët mungojnë edhe në çerdhe ku ligjërisht prania e tyre është e domosdoshme. Për të ndjekur terapitë e nevojshme, fëmijët shqiptarë me probleme të kësaj fushe, nga gjithë vendi udhëtojnë me kilometra për të ardhur në Qendrën Klinike në Shkup.
Elmedina Aliji