9 Mars 2019 / 17:13
Kjo rrugë, ndonëse e prishur, të shpien në një nga atraksionet më të bukura të kryeqytetit. Vetëm 15 km larg qendrës së Shkupit, Kanioni i Matkës është shumë i frekuentuar nga qytetarët, por i lënë në harresë nga Institucionet. Infrastruktura e dëmtuat po u pengon edhe turistëve. Ata thonë se kanë ardhur nga larg për të vizituar vende të këtilla, por hasin në vështirësi për të ardhur deri këtu.
Po definitivisht është gjithmonë më mirë për çdo vend që tu ofrohen kushtet turistëve për të vizituar këto vende të bukura. Është mirë të vijmë këtu, por nuk është mënyra më e lehtë për të ardhur pasi që rrugët janë të vjetruara ose të shkatërruara. Nuk e di, ndoshta këto mund të sanohen”- pohoi një turist nga Sllovakia.
Rrugët kryesore janë shumë të mira, por do të duhet ato më të voglat të riparohen. Por, kryesisht jemi të kënaqur nga infrastruktura rrugore këtu”- theksoi një nga turistët bullgar.
Të gjithë banorët janë miqësorë, na ndihmojnë për tu orientuar në gjetjen e lokacioneve turistike. Madje edhe gjuha jonë është e përafërt me maqedonishte dhe kuptohemi lehtë. Por, duhet të stimulohet turizmi më tepër për shtetasit e huaj”- tha një turist nga Bullgaria.
Të njëjtin mendim e ndajnë edhe banorët e zonës dhe vizitorët vendas, të cilët më në numër janë gjatë fundjavave. Nga Komuna e Sarajit thonë se me buxhetin e sivjetmë prej 84 milion denarësh, pa i përfshirë borxhet dhe bllok-dotacionet, nuk kanë mundësi të bëjnë edhe riparimin e kësaj rruge.
Ende nuk kemi marrë përgjigje nga shumë institucione vendore ku kemi aplikuar për mbështetjen financiare të projekteve urbanistike, që bën pjesë edhe riparimi i rrugës drejt Kanionit të Matkës. Edhe ndihma prej 47 milion denarëve e dhënë nga Qeveria sivjet për Komunën tonë, nuk na lejon luksin që të asfaltojmë atë rrugë, pasi që me ato mjete do të shlyejmë disa borxhe të trashëguara”- thonë nga Komuna e Sarajit.
Edhe pse Kanioni i Matkës është zonë e mbrojtur si monument natyror, ditëve të fundit ishte në vëmendjen e opinionit edhe me ndërtimet e egra përreth Liqenit artificial, ku disa platforma montuese u bënë mollë sherri ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror.
Adnan Qaili
Loading…