Regjisori Sulejman Rushiti gjatë një bisede me portalin Almakos është shprehur për ngjarjet e fundit në Ministrinë e Kulturës.
Rushiti ka përmendur faktin se kësaj here nga Ministria e Kulturës për herë të parë pranohen edhe projektet nga artistët e margjinalizuar gjatë dekadës së fundit.
“Është fakt i pamohueshëm që kësaj radhe janë inkurajuar të aplikojnë edhe artistë dhe organizata të margjinalizuara dhe të diskriminuar gjatë dekadës së fundit nga Ministria e Kulturës. Vlerësoj që aplikacionet e miratuara, kësaj radhe janë konform nevojave, madje edhe strategjisë kulturë për të gjithë.
Nuk dua të paragjykoj propozim projektet që nuk kanë marrë mbështetje, por këto çështje zgjidhen në kuadër të procedurave ligjore brenda institucioneve që duhet të vlerësojnë . Besoj se nëse ka ndonjë projekt cilësor që nuk është përkrahur atëherë do të përkrahet por nuk mund ta pranojmë si të qenë akuzën se projektet e miratuara nuk kanë vlera kulturore. Disa punonjës kulturë të llastuar gjithë këto vite, mendojnë se ata që kanë qenë politikisht të diskriminuar duhet të vazhdojnë të diskriminohen sepse për ta nuk janë emra të dëgjuar për ta. Ka nga ata që mendojnë se vetëm aktivitetet kulturore në kryeqytet duhet të mbështeten.”, deklaroi për Almakos, Sulejman Rushiti.
Rushiti vlerëson se disa artist nuk janë të pjekur me deklaratat e tyre që çojnë në ndarjen e kulturës në vijë etnike. Sipas tij, për shembull shfaqja e parë nën regjinë e tij në Teatrin e Gostivarit do të jepet në tre gjuhë.
“Ajo që më le shije më të keqe janë deklarata artistësh që dëshmojnë se nuk janë të pjekur për vizionin shoqëri për të gjithë dhe i numërojnë projektet me çelësin etnik. Më duhet të them këtu se Teatri i Gostivarit për shembull shfaqjen e parë, nën regjinë time do ta ketë në tri e më shumë gjuhë, ndërsa njëra shfaqje nga dy të tjerat do të jetë në gjuhën maqedonase.
Personalisht inkurajoj ministrin të vazhdoj në këtë qasje dhe jam i bindur që edhe komisionet e kanë ndjekur të njëjtin parim dhe filozofi dhe çdo lëshim e eventual do të rregullohet sepse kur ka qëllime të qarta dhe të pastra dhe vullnet pozitiv politik çështjet zgjidhen në favor të konsumuesit në këtë rast kulturor.”, deklaroi për Almakos, Sulejman Rushiti.
Përndryshe para disa ditësh u publikuan rezultatet nga programi vjetor i Ministrisë së Kulturës ku për herë të parë në historinë e Maqedonisë 50 % e projekteve të pranuara i takojnë edhe shqiptarëve.
Mediet në gjuhën maqedonase bënë shumë zhurmë duke sulmuar ministrin e kulturës, Asaf Ademi i cili premtoi se në afat shumë të shpejt do të shqyrtoje të gjitha projektet që nuk kanë kaluar. /Almakos/