Sacchi shpëton Ancelottin dhe paralajmëron Gattuso-n

Napoli po kalon një moment të komplikuar, që ka arritur kulmin me shkarkimin e Carlo Ancelotti-t, i cili është zëvendësuar nga Gennaro Gattuso. Në lidhje me situatën e “axurrëve” ka folur ish-trajneri i Italisë dhe Milan-it, Arrigo Sacchi

“Nëse diçka nuk funksionon, faji është i klubit, i skuadrës, ku është edhe trajneri”, ka thënë Sacchi për Radio Kiss Kiss. “Ne kërkojmë gjithmonë fajtorin. Te Napoli gjërat nuk kanë funksionuar për shumë arsye”.

“Kur ndonjë lojtar kërkon të largohet, atëherë fillojnë problemet: nëse do ta mbash, duhet të jetë i lumtur, përndryshe nuk do të jetë i përkushtuar. Mua më ka ndodhur kur isha drejtor teknik te Parma me Gilardino-n: e donte Roma, i thashë presidentit se do të ishte e vështirë ta zëvendësonim, ai na la të kuptonim se do të kishte qëndruar me shumë dëshirë”.

“E mbajtëm dhe mbijetuam. Di Vaio kërkoi të shkonte tek Juventus, edhe pse unë i thashë se nuk ishte gati. Napoli ka bërë gabime të tilla. Nuk është e lehtë të fitosh me axurrët. Gattuso? Në fillim duhet të tregojë se faji ishte i Ancelotti-t, por koha tregon gjithçka. Ancelotti? E dija se do ta kishte të vështirë të zëvendësonte Sarri-n, i cili kishte bërë një punë të madhe”.

MEDIAL.mk