Mr. Safije Sadiki Shaini, kandidate për deputete nga zona 2 e koalicionit Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët në një intervistë ekskluzive për Almakos ka dhënë pikëpamjet e veta nëse do të jetë zë i femrave në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut.
Safije Sadiki Shaini është nga fshati Sllupçan – Komuna e Likovës. Për nga profesioni është magjistre e shkencave kompjuterike – drejtimi informatikë. Aktualisht punon si asistente në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup.
Intervista me znj. Safije vjen në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare të 15 korrikut, ku ajo është kandidate për deputete nga zona e 2-të zgjedhore e koalicionit Alternativa & Aleanca për Shqiptarët.
Almakos: Znj. Safije, çfarë ofron koalicioni AAA-ASH për shqiptarët? Apo, më saktë, çfarë ofron koalicioni për zhvillimin dhe avancimin e femrës shqiptare në politikë?
Safije Sadiki Shaini: Koalicioni AAA-ASH shqiptarëve në vendin tonë, para së gjithash, u ofron demokraci, drejtësi, shtet të zhvilluar dhe mirëqenie. Duke u bazuar në programin e këtij koalicioni, që vjen me titullin “Shtet për të gjithë”, që nënkupton barazi, të drejta të barabarta, mund t’ju them se ka ardhur koha për ndryshim edhe tek shqiptarët. Tash është koha që të vendoset shteti i së drejtës, i cili nuk i përzgjedh qytetarët në bazë të përkatësisë etnike, fetare e politike.
Po ashtu ka ardhur koha për arsim cilësor, ndërsa kjo vjen si nevojë, duke e parë gjendjen e arsimit në Maqedoni, për çka mund te them se është në gjendje shumë të ulët e të dobët, ndërsa ne e dimë se ku është adresa e këtij dështimi. Që nga gjendja fizike e objekteve e pajisjeve për mësim, realizimi i programeve mësimore ose kualifikimi i kuadrit mësimdhënës, e deri te niveli i diturive dhe shkalla e ndërgjegjësimit të nxënësve dhe studentëve, gjendja e arsimit lë shumë për të dëshiruar. Të gjitha këto fakte, e shumë të tjera që për shkak të hapësirës nuk po i përmendim, na detyrojnë të luftojmë për një arsim më kualitativ e më të avancuar.
Gjithashtu, si asnjëherë më parë, tash është koha edhe për investime te shqiptarët. Jeta e shqiptarit tonë është në kushte nën mesatare Dhe, kjo letargji duhet ta ketë një fund.
Ndërkaq, sa i përket femrës shqiptare në politikë, unë duhet të theksoj se pjesëmarrja e grave në vendimmarrje është e pamjaftueshme. Rritja e përfaqësimit të grave në Kuvend dhe në këshillat komunale është kryesisht për shkak të kuotave zgjedhore. Prandaj koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa do të angazhohet për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit, veçanërisht kundër diskriminim gjinor, si dhe në përmirësimin e përfaqësimit të grave në jetën publike të vendit.
Almakos: Cili është roli i gruas në politikë? A duhet që gratë të jenë pjesë aktive e politikës shqiptare në vend?
Safije Sadiki Shaini: Nuk ka dyshim se performansa dhe zhvillimi i një kulture të shëndetshme institucionale varet nga raporti optimal i të dyja palëve – burrave dhe grave. Zgjidhja më e mirë, jo vetëm për vendimmarrjen publike, por edhe për gjithë shoqërinë, do të ishte përmirësimi i diversitetit dhe kontributi nga të dy gjinitë, kjo bazuar sigurisht në talent dhe meritokraci. Diversiteti mundëson një shfrytëzim më të mire të kapitalit njerëzor, duke i sjellë vlera të shtuara qeverisjes, shoqërisë, sipërmarrjes, pra të gjitha fushave të jetës.
Mendoj se roli i gruas në politikë duhet të jetë i barabartë me rolin e burrit, madje – pa dashur të tingëlloj patetike – do të doja që pyetjet e këtilla të mos shtrohen më Ne nuk duhet të jemi në jetën publike për shkak të gjinisë sonë, por për shkak të vlerave që i posedojmë, për shkak të kontributit tonë intelektual dhe për shkak të shtytjes që të merremi me përmirësimin e jetës publike.
Almakos: Në këtë kontekst, çfarë ju shtyri atëherë juve të merreni me politikë?
Safije Sadiki Shaini: Mjafton të kesh interes për jetën publike dhe kjo detyrimisht të politizon. Jeta e vështirë e popullatës së Maqedonisë së Veriut, kriza ekonomike, nepotizmi, korrupsioni, krimi i organizuar, shteti i kapur dhe jofunksional, arsimi jocilësor etj., janë tema të mjaftueshme për secilin njeri të ndërgjegjshëm që të politizohet, ndërsa për mua kanë qenë të mjaftueshme që t’i bashkohem partisë AlternAtivA, e cila mendoj se më së miri i ka adresuar këto tema dhe ka ofruar zgjidhje për to. E kur kësaj ia shtojmë elementin e koalicionit, jam e bindur se kështu kam bërë veprimin më të duhur në kohën e duhur.
Almakos: Çfarë prisni nga zgjedhjet e 15 korrikut?
Safije Sadiki Shaini: Unë pres që në këto zgjedhje shqiptarët e vendit tona të bëjnë ndryshimin. Tashmë nuk ka arsye të thuhet se nuk ka kamp të bashkuar shqiptar. Në këto zgjedhje pasqyra është e qartë: je për ndryshim dhe ofertë reale apo për ëndrra? Prandaj, duke e njohur edhe disponimin kundër partisë që deri tash ka qenë në pushtet dhe me punën e saj ka shkaktuar eksod masiv të të rinjve, ndërsa rinia është shpirti i një populli, jam shumë e bindur se koalicioni ASH-AAA do t’i japë fund kësaj letargjie politike.
Almakos: Në rast se do të zgjidheni deputete në Kuvendin e ardhshëm, çfarë janë planet e juaja, a do të jeni zëri aktiv i gruas shqiptare në Kuvend?
Safije Sadiki Shaini: Si deputete në Kuvendin Republikan do të jem, para së gjithash, zëri i votuesve të mi, por edhe i gjithë qytetarëve. Në kuadër të kësaj, në veçanti do të doja ta përfaqësoj zërin e gruas shqiptare. Mendoj se ka shumë gjëra në të cilat mund të ndihmoj dhe jam shumë e bindur se mandati im si deputete do ta dëshmojë këtë. Po i lëmë ca gjëra t’i përdëftojë koha.