Saliji: Presim hetim ndërkombëtar për “Monstrën” dhe “Kumanovën” (VIDEO)

Saliji: Presim hetim ndërkombëtar për “Monstrën” dhe “Kumanovën” (VIDEO)

Ministri i Drejtësisë Bylent Saliji do presë hetim ndërkombëtar për rastet e montuara politike me viktima shqiptar. Në konferencën e sotme për llogaridhëni 100 ditore, Saliji tha se duhet të priten vendimet gjyqësore si për “Kumanovën” ashtu edhe për “Monstrën” dhe pastaj sipas nevojës të inicohet edhe hetimi ndërkombëtar.

BYLENT SALIJI, MINISTËR I DREJTËSISË

“Me siguri se unë ndërlidhem me deklaratën e ministrit të brendshëm Oliver Spasovski  se Ministria e  Brendshme do të kërkojë hetim ndërkombëtar edhe për rastin Monstra edhe për Rastin e Kumanovës. Tërë kohën jemi duke promovuar pavarësi të gjyqësorit prandaj apeloj deri tek gjykatat që në mënyrë të pavarur të marrin vendime duke u bazuar në faktet dhe provat”

I pyetur përse ligji për vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale nuk është në planin e ministrisë dhe nëse Ligji për Mbrojtjes e Dëshmitarëve do ti shërbejë edhe këtij trupi, Saliji tha se tashmë është propozuar që Specialja të jetë trup i veçantë në kuadër të Prokurorisë së rregullt Publike.

BYLENT SALIJI, MINISTËR I DREJTËSISË

“Prokuroria Speciale do t’i bashkohet Prokurorisë Publike si një sektor i veçantë i cili do të merret me kriminalitet të lartë të emëruar si ‘jakat e bardha’. Pra, idea është që PSP të integrohet në Prokurorinë e Rregullt Publike. Po punojmë së bashku me PSP-në edhe për Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve. Këto ligje janë duke u përpunuar, do të jeni të informuar me kohë”

Saliji informoi se do të bëjnë kontroll edhe në sistemin elektronik të gjykatave AKMIS në të cilin në mënyrë të rastësishme bëhet shpërndarja e lëmdëve tek gjykatësit. Kjo në mënyrë që të bëhet kontroll i manipulimeve eventuale. Gjykata Themelore e Shkupit ka pranuar këtë kërkesë të ministrisë ndërsa Gjykata Supreme ende nuk u ka dhënë përgjigje nëse do të lejojë kontrollin.  Në drejtim të reformave në gjyqësor, janë duke u përpunuar edhe propozim ndryshimet në Ligjin për Këshillin Gjyqësorin, Ligjin për Gjykata, Ligjin për Noteri, Ligjin për Informatorët. e të tjerë. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/