8 September 2018 / 15:52
Gjimnazistët në Kumanovë mësimin vazhdojnë ta ndjekin në objektin e ish Kombinatit bujqësor. Nxënësit me të dalë nga shkolla shkelin në rrugët e qytetit, por nuk është vetëm kjo mangësia e gjimnazit. Vetë nxënësit pohojnë se mungojnë madje edhe kushtet elementare për zhvillimin e procesit arsimor.
“Është shumë ngushtë dhe kushtet nuk janë fare të mira por nuk kemi çfarë të bëjmë, duhet të mësojmë. Normal do kishim dashur të transferoheshim por nëse nuk ka mundësi duhet të qëndrojmë këtu. Kushtet në klasa janë katastrofale, është shumë ngushtë.”
“Sallë sporti nuk kemi, bankat dhe ulëset janë shumica të thyera. Librat nuk na mjaftojnë, mungojnë librat.”
Drejtori nuk është shpresëdhënës se së shpejti do të ketë objekt të ri për gjimnazin e Kumanovës. Nuk kanë arritur asnjë marrëveshje me Komunën e Kumanovës mbi këtë çështje.
Në vitin e kaluar kryetari aktual Maksim Dimitrievski e formoi një Komision me Këshillin e shkollës, dhe drejtorin e shkollës. Aty u formua një komision prej profesorëve, prindërve dhe pjesëtarëve të Komunës nga sektori i urbanizmit që të gjendet ndonjë lokacion ku mund të vendoset shkollë. Komisioni punoi në periudhë 3 mujore megjithatë rezultatet konkrete munguan. Deri në ditën e sotme nuk kemi ndonjë përgjigje lidhur me lokalin”- theksoi Hysen Rrahmani ,drejtor i gjimnazit Sami Frashëri-Kumanovë.
Ndërkohë komuna arsyetohet se po kërkon objekt të ri, por nuk harron të përmend se fjalën e fundit duhet ta thotë Ministria e Arsimit.
Për momentin zgjidhja më e përshtatshme dhe e vetme që të zgjidhet ky problem në mënyrë afatgjate sipas planit urbanistik në Kumanovë është kazerma e më hershme. Unë jam në komunikim intensiv me ministrin e arsimit dhe besoj se do të gjejmë zgjidhje të përshtatshme për investim sa më të shpejtë.Komuna do ta jep logjistikën e kompletuar për atë se çfarë është e nevojshme për urbanizimin e hapësirës ndërsa investimet kapitale duhet të vijnë nga shteti” deklaroi, Maksim Dimitrievski, kryetar i komunës së Kumanovës.
Jemi duke ndërmarr të gjitha masat për të përshpejtuar realizimin e këtij projekti por, bëhet fjalë për projekt në të cilin janë të përfshira më shumë institucione. Është e domosdoshme që të gjendet objekt siç duhet në përputhje me standardet”- u shpreh Arbër Ademi, ministër i Arsimit.
Prej vitesh, gjimnazit të Kumanovës i premtohet se do të dislokohet në ambientet e kazermës së qytetit. Gjimnazi objektin e vet e ndan me Shkollën e mesme teknike të Kumanovës, gjë që edhe më shumë e vështirëson procesin arsimor.
Elmedina Aliji