Sejdiu e quan të tmerrshme se si LDK i pat ‘hangër’ fjalët e veta për koalicion me PDK-në

Sejdiu e quan të tmerrshme se si LDK i pat ‘hangër’ fjalët e veta për koalicion me PDK-në

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, thotë se kufijtë nuk mund të ndryshohen. Ai flet për Samitin e Berlinit, për idenë e presidentit Hashim Thaçi dhe rrezikun që Kosova mund të ketë në marrëdhëniet me miqtë e saj ndërkombëtarë.

Në një intervistë për KosovaPress ai flet për dialogun, partnerët e koalicionit aktual qeverisës, LDK-në dhe zgjedhjet e reja të mundshme.

Fatmir Sejdiu thotë se Kosova nuk mund të ndryshojë kufijtë në asnjë formë, e kjo sipas tij, u konfirmua edhe në Samitin e Berlinit.

Sipas tij, asnjëherë nuk ka pasur ndonjë formulë nga miqtë ndërkombëtarë ku thuhet se; mund të bëni çfarë të doni më kufijtë. Ndërsa, lëvizja e kufijve thotë se do të shkaktonte destabilitet në rajon.

“Unë mendoj se çdo lëvizje me kufijtë dhe që do të vizohet si e tillë, do të konceptohet si e tillë dhe do të hyhet në hapa drejt saj, është shumë rrezikshme. Ne nuk e kemi hallin nëse e marrin në personale. Problemi është i stabilitetit të përgjithshëm rajonal, i stabilitetit të shqiptarëve, problemi është i rezultateve të arritura që Kosova ka pasur deri tash. Dhe ne s’mund të hyjmë në një diçka që praktikisht do të shkatërronte atë që ne kemi arritur dhe do të na paraqiste së bashku një faktor, i cili realisht, në një formë të tillë, dhe kjo do të ishte pritja e Serbisë dhe faktori kryesor destabilizues do të jetë ajo që do të hyhet në një fazë të krizave të mëdha”, thotë ish-presidenti i Kosovës.

Kur flet për veriun e vendit, thotë se Serbia ka arritur që të mbajë peng një pjesë të rëndësishme të qytetarëve serbë ku  teledirigjohen nga Beogradi.

Këtu pranon që nuk punuan sa duhet as vendorët e as ndërkombëtarët. Madje, Sejdiu thotë se ka pasur gjenerata të bashkësisë ndërkombëtare që u ka konvenuar të mos ketë probleme në mandatin e tyre.

Deklaratat e presidentit Hashim Thaçi për ndryshim kufijsh, Sejdiu i quan shqetësuese.

“Këto sjellin shqetësime, te secili njeri normal që i përcjell zhvillimet. Të thuhet sot diçka tjetër, nesër diçka tjetër, dhe të thuhet nga njeriu që është bartës i funksionit të shtetit, mendoj se është e panevojshme. Duhet të ketë një qasje krejt tjetër, një qasje të ecjes stabile edhe në formulat eventuale që mund të jenë, por paralelisht është një diçka që askush nuk ka mandat të ecë, të zhvillojë formula apo teza të cilat në një formë apo tjetër është në kundërshtim me kushtetutën e vendit”, thotë Sejdiu.

Kur flet për dialogun Kosovë-Serbi thotë se ai duhet të kornizohet, ndërsa për ekipin shtetëror negociator thotë se në mënyrën e deritanishme nuk ka ndonjë rezultat.

Thotë se duhet një konsolidim më i mirë i krerëve partiak dhe se përgjegjëse është edhe opozita.

I pyetur nëse u humbën gjithë këto vite dialog, Sejdiu thotë “Unë mendoj se po, mund të jetë ndonjë temë që ka pasur diçka, por ajo që ka bërë Serbia në anën tjetër, nuk ka nxjerr rezultat. Kemi tema dhe tema, që gjithmonë e lidhi; pse të ketë probleme me lëvizjen e lirë të qytetarëve, pse të ketë probleme në organizimet e përbashkëta të krimit të organizuar që mund të jetë rajonal, energjia, diplomat, e të tjera. Cilat u përmbushën prej tyre?”, thotë ai.

Sejdiu kur flet për taksën 100 përqind të vendosur ndaj produkteve nga Serbia, thotë se nuk është arsyeja e stagnimit të dialogut.

Taksa, sipas tij, duhet të analizohet mirë në këtë kohë edhe pse mendon se në kohën që është vendosur ishte veprim i mirë.

“E di se nuk është pritur një vendim i tillë, pra dhe ka ardhur si një boom pozitiv për një kohë të caktuar, por është e nevojshme që të shikohet se çfarë ka efekte anësore që kanë hyrë dhe që praktikisht kanë zënë hapësira të caktuara”, deklaron ai.

Teksa flet për qeverisjen aktuale, ish-presidenti pohon se është problem numrash dhe luftë për numra, që sipas tij, i mban në presion dhe që nuk sjell kualitet.

Kur flet për zgjedhjet e mundshme në nivel vendi, Sejdiu thotë se ka vërejtur lëvizje interesante nga platformat që dikur kishin koalicione.

Ndërsa, lidhur me atë nëse beson se LDK-ja ka vija të kuqe për ndonjë nga ish partnerët qeverisës, Sejdiu thotë se “Ka qenë e tmerrshme ajo e mëhershmja, jo pse ka ndodhur por se ka pasur një barrikadim të madh dhe janë ngrënë fjalët që janë thënë, sidomos ajo e gjashtë muajve; se kurrë asnjëherë me PDK-në!, dhe më vonë për interesin e shtetit gjoja u bë një koalicion që zgjati sa zgjati, thuajse më herët nuk ishin interesant e shtetit në pyetje”.

“Nuk them se një parti duhet të ketë pozicionime kaq barrikaduese e më vonë të kapërcejë përtej tyre”, deklaron Sejdiu, duke shtuar se gjuha përplasëse në Parlament duhet të largohet.

Sejdiu deklaron se LDK-ja po gabon me mos-qëndrimin e saj për dialogun, me demarkacionin dhe disa të tjera.

LDK-ja thotë se ka kapital që nuk e kanë subjektet e tjera e që duhet të mbajë atë kapital veçanërisht atë intelektual.

“Unë e kam thënë gatishmërinë time, por do të analizoj deri në momentet e fundit. Jam thjesht për të qenë gjithmonë në pozicion që të jap mbështetjen më të fuqishme të zhvillimit të saj dhe të shohim kur të vjen momenti i paraqitjes së kandidaturave… Jo, përkundrazi, nuk është punë e personave të tjerë por e proceseve që do të zhvillojë LDK-ja. Të jenë procese të pastra, procese legjitime, procese që mbështeten nga anëtarësia e saj, procese që nuk cenojnë trungun dhe identitetin e saj, procese që thjeshtë e krijojnë një stad të ri të zhvillimeve që duhet të dalin. Zgjedhjet mund të marrin meritën nëse zgjedhin ekipe të mira”, thotë Sejdiu.

Sa i përket mënyrës së votimit për kryetarin e LDK-së, thotë se ka hyr një normë bizare, kur thuhet se duhet votim i fshehtë, ndërsa pranon se brenda ka rivalitete por që nuk i quan përçarje.

Fatmir Sejdiu ka qenë president i Kosovës dhe njëkohësisht kryetar i LDK-së, tani është kryetar nderi i kësaj partie./kp/Telegrafi/

TAGS