Sejdiu kritikon punën e LDK-së dhe VV-së në komisionet parlamentare

Deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu ka kritikuar punën e komisioneve parlamentare të udhëhequra nga LVV-ja dhe LDK-ja.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Komisioni Hetimor Parlamentar të udhëhequr nga LVV-ja, që u krijua për të ndriçuar rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq, nuk arriti ta përfundojë punën e vet.

Ngjashëm sipas Sejdiut, ka vepruar edhe Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me emërimet e shërbyeseve të lartë civilë në Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës, udhëhequr nga LDK-ja.

Postimi i plotë:

Janë disa komisione hetimore parlamentare, që janë inicuar në sesionin e kaluar të Kuvendit. Të rëndësishëm për nga përgjegjësia dhe detyrat, jo të gjithë kanë rezultatet e njëjta:
Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës (udhëhequr nga PSD). Ky komision e ka filluar punën në qershor të vitit 2018 dhe e ka përfunduar punën e vet para skadimit të mandatit të përcaktuar me ligj. Punë e rregullt, efikase dhe me rezultat. Për këtë, si kryetar i komisionit, falënderoj të gjithë anëtarët e komisionit dhe stafin e administratës së komisionit. Sot, në mbledhjen e Kryesisë u vendos që ky raport të jetë për seancën plenare të rradhës.
Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq (udhëhequr nga LV), konkretisht nga deputeti Xhelal Sveçla, i cili përtej muhabeteve, prononcimeve për të bërë spektakël, nuk arriti ta përfundojë punën e vet. Sot kërkuan, pas 6 muaj zhurme, kundërligjshëm vazhdimin e mandatit të këtij komisioni, duke u munduar ta arsyetojnë mungesën e punës.
Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me emërimet e shërbyeseve të lartë civilë në Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës (udhëhequr nga LDK). Ky komision, ishte iniciativë e deputetës Mimoza Kusari-Lila dhe e imja! Me propozimin e LDK-së, menjeherë pas ngritjes së komisionit, LDK e ndërroi deputeten znj. Mimoza Kusari-Lila me deputeten tjetër znj. Lirije Kajtazi. Edhe ky komision nuk ishte në gjendje ta bëjë punën e vet, të përcaktuar me ligj. Ndonëse tema e emërimeve është jashtëzakonisht problematike!
Shumë zhurmë për asgjë! /Telegrafi/

TAGS