12 September 2018 / 13:53
Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Xhejms Matis paralajmëroi se gjatë fundjavës do ta vizitojë Maqedoninë dhe se vizita do të përkojë me referendumin e 30 shtatorit. Megjithatë nga Qeveria nuk konfirmojnë datën. Sipas një deklarate të dhënë për Agjencinë e lajmeve, Reuters, Matis u shpreh i shqetësuar pasi dyshon se Rusia mund të ndikojë gjatë votimit në këtë referendum, i cili nëse do të jetë pozitiv vendit do t’ia hap dyert për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE.
Jam i shqetësuar për atë lloj dinakërie që Rusia ka praktikuar që nga Estonia e deri në Shtetet e Bashkuara, që nga Ukraina e tani deri në Maqedoni, ajo gjithmonë i ka përshtatur situatat e veçanta dhe është gjithmonë përtej kufirit të lejuar. Dua ta bëjë të qartë se SHBA-të i mbështesin qytetarët e Maqedonisë- deklaroi Xhejms Matis, Sekretari amerikan i Mbrojtjes.
Ambasadori i Rusisë në Shkup disa herë ka kritikuar ambicjet e vendit për t’u anëtarësuar në NATO, duke theksuar se vendi mund të bëhej “cak potencial i betejave” nëse në të ardhmen do të prisheshin marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA-ve. Disa herë janë publikuar edhe informacione për dyshime se dy diplomatë rus në Greqi janë përpjekur të prishnin Marrëveshjen e arritur për emrin, edhe atë duke inkurajuar protestat që u mbajtën dhe madje duke korruptuar disa funksionarë shtetëror të paidentifikuar. Për këtë Greqia dëboi dy diplomatët dhe ndaloi të hynin dy njerëz të tjerë në shtet, ndërsa Moska iu kundërpërgjigj në të njëjtën mënyrë, duke dëbuar diplomatë grekë. Ndryshe, nesër pritet që në Shkup të qëndrojë edhe Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Ves Miçel.
ANesa Saluhu