3 Tetor 2018 / 14:33
Rreth 22 kilogram marihuanë të sekuestruara dhe tre persona të arrestuar është bilanci i aksionit të mbrëmshëm të policisë, që u realizua në Strazhë të Mavrovës, gjatë kontrollit të veturës së llojit Shkoda. Gjatë këtij aksioni, sipas MPB-së, është arrestuar edhe organizatori i transportit të drogës, personi me iniciale K.R. 29 vjeç.
Gjatë kontrollit në Strazhë janë ndaluar dy vetura. Gjatë kontrollit të veturës Shkoda Super janë gjetur dy qese me marihuanë. Në vendngjarje janë arrestuar tre persona në mesin e të cilëve edhe organizatori i transportit K.R. 29 vjeç, nga Shkupi, person i dënuar edhe më parë për trafik droge dhe që ka qenë i shpallur në kërkim shkaku se ka ikur nga burgu i Idrizovës. Menjëherë është bërë bastisje edhe nëpër shtëpitë e personave në fjalë në Shkup, ku është gjetur marihuanë, kokainë, plumba dhe gjësende të tjera që janë dorëzuar për hetim – deklaroi Toni Angeloski, zëdhënës i MPB-së
Në të njëjtën kohë, në qytetet Strugë e Ohër është bërë bastisje edhe tek tre persona të tjerë që kanë lidhje me këtë grup dhe tek të cilët, sipas MPB-së, janë gjetur para të fituara nga shitja e drogës, dy vetura dhe gjësende të tjera që në mënyrë plotësuese do të hulumtohen. Aksioni i gjerë i policisë kundër drogës, tanimë dy muaj po zhvillohet edhe në rajonin e Pollogut, me çrast, arrestimet kanë kaluar shifrën prej 103 personave të involvuar në tregtim, shitje dhe lëshim në përdorim të substancave narkotike.
Bashkim Sulejmani