Sela e quan Ali Ahmetin shqiptar sezonal

Sela e quan Ali Ahmetin shqiptar sezonal

Pavarësisht faktit që lideri i BDI-së Ali Ahmeti një kohë të gjatë është në Qeveri me partitë kryesore maqedonase, lideri i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela e quan atë shqiptar sezonal që ndërron qëndrimet sipas interesave të ngushta partiake.

“Mendoj se nuk është hera e parë, këtë unë e parashikoja dhe paralajmëroja gjatë zgjedhjeve lokale dhe presidenciale. Atëherë ne mbështetnim kandidat shqiptar për president, ndërsa Ali Ahmeti atëherë tallej me propozimin tonë, edhe pse qëllimi ynë ishte që votuesit shqiptarë t’i mbajmë në partitë politike shqiptare. Nga ana tjetër, unë që atëherë kisha paralajmëruar se do t’i shihni shqiptarët fakultativë. Ali Ahmeti dhe BDI-ja janë shqiptarë fakultativë, shqiptarë sezonalë, kur në zgjedhje lokale nuk iu pengon që me Lube Boshkovskin ose me cilindo të shkojnë bashkë dhe të thirren në qytetari. Në zgjedhjet presidenciale, pasi e dinin se do të humbin thellë në ato zgjedhje nëse dalin me kandidatin e tyre, bënin fushatë dhe në rrethin e parë e mbështetnin kandidatin e LSDM-së. Që atëherë paralajmërova se kur do të vijnë zgjedhjet parlamentare ata menjëherë do të bëhen patriotë të mëdhenj, gjë që nuk janë. Nuk janë as shqiptarë të mëdhenj”, vlerësoi Sela për MIA-n.

Sipas tij, propozimi i BDI-së ka dalë pas anketave të IRI, sipas të cilave, siç tha Sela, BDI-ja ishte pas Aleancës për Shqiptarët.

“Kjo e detyroi Ali Ahmetin që të dalë me këtë propozim, por nuk është hera e parë. A e mbani mend në vitin 2014 kur Ali Ahmeti doli me idenë për president konsensual, kjo ishte mundësia e vetme që shqiptarët të bojkotojnë, ndërsa kur je në pushtet të mund të kontrollosh që të mos dalë, që të fitojë Ivanovi edhe një mandat. Dhe dy javë pas kësaj ishin zgjedhjet parlamentare. BDI-ja ato dy javë fliste dhe premtonte Ali Ahmeti se ne pasi nuk kemi kryeministër dhe president koncensual, ne nuk do të lëshojmë pe me kryetarin e Kuvendit që të jetë shqiptar. Çka ndodhi pas kësaj, menjëherë pas zgjedhjeve përsëri përqafoheshin me Gruevskin dhe VMRO-në, madje edhe bënin gara me PDSH-në, cili i parë do ta votonte Trajko Veljanovskin për spiker të Kuvendit. Dhe në pyetjen e gazetarit se pse i gënjente shqiptarët, Ali Ahmeti tha “unë jam politikan i mençur”, tha Sela.

Ai, thotë Sela, ende është politikan i mençur, por, siç tha, kështu bën lojëra para votuesve dhe e rrit adrenalinën te shqiptarët që të përfitojë më shumë vota. “Nga ana tjetër, për fat të keq në qëllimin e tij i ndihmojnë edhe dy partitë maqedonase, për të cilat partner i përshtatshëm do të ishte BDI-ja”, vlerëson Sela për MIA-n.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, në intervistën për MIA-n, vlerëson se nuk duhet të ketë fushatë të ndyrë, në të cilën gati për çdo ditë shpërthejnë “bomba” dhe se kjo duhet të jetë lëndë e gjyqësorit, e jo e partive politike.

“Në opinion kishte shumë biseda të përgjuara nga ana e BDI-së me çfarëdo lloj kualifikimesh nga lideri i tyre, që sa i përket thënies së famshme ‘Indianë’ të Gordana Jankullovskës, kualifikimet e Ali Ahmetit për shqiptarët ishin edhe më të këqija. Pa dallim, nuk merremi me atë temë. Ne duhet të tregojmë se jemi të ndryshëm, se duhet të vijë ndryshimi, jo vetëm fizikisht, por edhe në mënyrë thelbësore duhet të ndryshohen punët në këtë shoqëri”, thotë Sela për MIA-n.