Sela në Dibër: Tek oponenti BDI po ndjehet nervozë sepse janë të vetëdijshëm se po humbë

Sela në Dibër: Tek oponenti BDI po ndjehet nervozë sepse janë të vetëdijshëm se po humbë

Nën moton “Tani është koha”, tubim zgjedhor sonte në qendër të Dibrës mbajti koalicioni Aleanca për shqiptarët-Alternativa.

Emërues i përbashkët i shumë folësve ishte se ndryshimet vijnë më 15 korrik me rrumbullakësimin e numrit 5, të cilat do ta kthejnë dinjitetin e shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë, do të sigurohet arsim cilësor, shldnetësi falas, e ardhme më e mirë që të rinjtë të mbeten këtu në vendlindje.

Duke folur para qytetarëve të pranishëm, lideri i Aleancës për shqiptarët, Ziadin Sela e arsyetoi programin i cili “tërësisht do të realizohet”.

“Programi është përpiluar në bazë të halleve dhe nevojave të qytetarëve të cilat i dëgjojmë drejtpërdrejtë duke i vizituar. Krejt çka kemi shkruar do të realizohet sepse është koha e fundit të fillojë ripërtëritja. Shqiptarët dhe qytetarët e tjerë nuk kanë më shumë por vetëm një jetë dhe të njejtën duan ta jetojnë me dinjitet. Nëse nuk i realizojmë premtimet, na ndëshkoni pas një viti në zgjedhjet lokale”, porositi mes tjerash Sela, i cili premtoi edhe shqyrtim të sërishëm të rasteve të montuara politike dhe sjellje para drejtësisë të të gjithëve të cilët gabuan.

Sipas tij, tek oponenti BDI tashmë po ndjehet nervozë sepse janë të vetëdijshëm se po humbë.

Foli edhe lideri i Alternativës, Afrim Gashi, i cili shfaqi bindje se Dibra do të jetë në anën e fitores, në anën e Koalicionit, i cili, siç tha, do të korrë fitore të madhe.

“Çdoherë kur vij në Dibër mahnitem nga harmonia në të cilën jetohet pa marrë parasysh përkatësinë partiake apo ndonjë tjetër dhe dëshiroj këtë shembull ta ndjekin të gjithë shqiptarët. Për herë të parë po ndodhë një koalicion shqiptar ta dëgjojë zërin e popullit dhe në listat e veta të ketë njerëz të vyeshëm, të ketë program -libër i cili do të jetë testament për premtimet tona, e më pas edhe realizim i tyre”, tha Gashi.

I porositi qytetarët që më 15 korrik të shkojnë të votojnë të mbrojtur, sepse, siç shtoi, nuk na nevojitet fitore me shumë të sëmurë, e mos dhashtë Zoti edhe të vdekur.

Bartësi i listës së kandidatëve i Koalicionit për NJZ 5 Suria Rushidi e akuzoi BDI-në se 18 vite ka dhënë vetëm premtime të kota.

Para dibranëve u prezantuan edhe kandidatët për deputetë në NJZ 5 nga Dibra, Bekim Pocesta dhe Zelfina Sela, ndërkaq folën edhe disa përfaqësues partiakë.