Selimi: Nëse kam rrahur njëherë dikë gjatë luftës, s’mund të më krahasojnë me kriminelët serbë (Video)

Selimi: Nëse kam rrahur njëherë dikë gjatë luftës, s’mund të më krahasojnë me kriminelët serbë (Video)

Ish-komandanti i UÇK-së, Sylejman Selimi ka thënë se krahasimi i tij me kriminelët serb të luftës është i papranueshëm.

Sylejman Selimi, në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se fatkeqësia është se ai po krahasohet me kriminelët serb të luftës.

“Edhe nëse unë kam bërë një krim, duke rrahur një herë një person gjatë luftës, nuk mundesh me krahasua me një kriminel të Serbisë që ka vra fëmijë e gra. Të krahasohet ky kriminel i Serbisë me një çlirimtar, sado i mirë apo i keq që është”.

Ish-komandanti i UÇK-së ka thënë se ambasadori amerikan ka të drejtë dhe mund të deklarohet se ai është kriminel lufte.

“Është parim, përderisa jam i dënuar është normale që mundet me thënë që jam kriminel lufte. Me dokumentacion unë jam kriminel lufte”, ka thënë Selimi, përcjell Telegrafi.

Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri ka thënë se është duke pritur një vendim gjyqësor, pasi Kushtetuesja e ka marrë një vendim.

“Derisa unë kam një vendim, ka të drejtë edhe ambasadori [amerikan] apo çdokush të më thonë mua kriminel. Dikush mund t’u thotë edhe juve pse keni ftuar një kriminel në emision, pasi unë jam dënuar me një vendim që kam rrahur një persona gjatë luftës, por jo që kam bërë krime tjera”.

“… Të sqarohet edhe opinion se unë “kam rrahur një person” sipas vendimit të gjykatës që unë jam dënuar. Por unë jam i bindur se ky është proces i montuar, sepse po ta kisha rrahur do ta kisha pohuar pa asnjë problem”, tha ndër të tjera Sylejman Selimi./Telegrafi/

TAGS