Alsat 2020-07-05T15:23:10+02:00
Banorët e Sellçës në Tetovë tani 20 vjet janë në pritje të ndërtimit të shkollës për rreth 500 nxënësit e këtij fshatit, të cilët procesin mësimin e ndjekin në objektin e vjetër ku kanë mësuar baballarët e madje edhe gjyshërit e tyre. Objekti ka nisur të ndërtohet shumë vite më parë pa asnjë studim paraprak gjë që ka çuar në çarjen e mureve. Objekti tani thuajse fare nuk duket nga bari dhe drunjtë për rreth. Partitë në veçanti, BDI-ja thuajse në çdo cikël zgjedhor ka dalë me premtimin për ndërtimin e kësaj shkolle, por banorët thonë se më nuk i besojnë pasi janë ngopur nga mashtrimet.
“Edhe pas dy dekadash, shkolla në Sellcë është në të njëjtën gjendje. Drunjtë dhe barishtet që përreth mbijnë çdo ditë kanë mbuluar tashmë thuajse gjithë objektin”.
Xhirimet e fundit nga kamera e Alsat dëshmojnë se edhe për një kohë të gjatë, fëmijët e fshatit Sellcë të Komunës së Tetovës do të mësojnë në shkollën e vjetër. Për objektin e ri shkollor tashmë të premtuar nga viti 2000 nuk ka asnjë fije shpresë nëse do të fillojë të ndërtohet së shpejti. Edhe drejtoresha Miribane Abdiu, nuk ka informacione të sakta.
Jemi në pritje e sipër për ndërtimin e shkollës së re e cila ka kaluar të gjitha procedurat si duhet dhe me ndërtimin e shkollës së re mendoj se të gjitha vështirësitë do të tejkalohen”-tha Miribane Abdiu, drejtore e sh.f “Rilindja” fsh. Sellcë.
Paralajmërimi për ndërtimin e shkollës së re është vetëm edhe një premtim parazgjedhor nga BDI-ja dhe asgjë më shumë, thonë të revoltuar banorët. Madje, ata kujtojnë se nipërit dhe mbesat e tyre po mësojnë në shkollën e vjetër ku ata kishin mësuar dikur.
“3600 anëtarë fshati, 500 nxënës, pa shkollë. Me shkollën e vjetër e ndërtuar para 60 vjetësh. Mos keni mësu edhe ju në atë shkollë? Po, unë në pension jam tashmë 3 vjet. Nxënësit mësojnë tash ku kam mësu unë para 50 vjetëve”.
“As që e ka mendjen të bëhet. Kush dhe kur do ta bëj. Në fillim kur e kanë nis nuk e kanë analizuar tokën. Brenda kohës, sa e ndërtuan katin e parë dhe të dytë, u ça dhe ashtu ka mbet. Tash duhet të jepen para që të prishet e të ndërtohet tjetër e re. Partitë, çdo herë kur vjen radha ti votojmë na japin male e kodra..”
“Ka 50 vjet që është kjo shkollë, nuk kanë bë kurgjo hiç. Vetëm kanë ardhur këtu, na kanë gënjyer edhe kanë shkuar. S’ka asgjë hiç, i morën paratë, i vodhën paratë”.
Shkolla e re për nxënësit e Sellcës duhet të ndërtohet në një lokacion tjetër. Projekti i kaluar ka dështuar dhe punimet nuk mund të vazhdojnë për shkak të çarjeve që ka pësuar bazamenti dhe muret e objektit gjysmë të ndërtuar me vlerë rreth 400 mijë euro. Nga Ministria e Arsimit sërish premtojmë shkollën duke thënë se tani kanë përfunduar të gjitha procedurat për projektin e ri për të cilin thonë se janë paraparë mjete nga buxheti
Melihate Rustemi