Serie A do lejojë më shumë tifozë në stadiume

Serie A do lejojë më shumë tifozë në stadiume

Ministri i Sportit i Italisë, Vincenzo Spadafora, ka zbuluar se stadiumet në Serie A do t’i hapin dyert e veta për tifozë në mënyrë graduale nga 8 tetori.

Në javën e parë të sezonit të ri në Serie A, qeveria italiane i lejoi nga 1.000 persona ta shohin ndeshjen në stadiume dhe ministri i sportit njoftoi sot se po punojnë për ta rritur numrin e tifozëve gradualisht nga muaji i ardhshëm.

“Tani nuk mund ta kalojmë shifrën 1.000 persona. Por nga 8 tetori, kur do ta publikojmë dekretin e ri, do të bëjmë gjithçka për t’i rihapur stadiumet”, tha Spadafora.

“Ne nuk kemi mundur t’i hapim stadiumet tani për më shumë njerëz duke e parë që në vendet e tjera numri i rasteve me koronavirus po rritet”, shtoi ai.