Shаqir Fetai po manipulon në emër të z. Ali Ahmetit

Shаqir Fetai po manipulon në emër të z. Ali Ahmetit

Do të ishte jashtëzakonisht e mirëseardhur ndërhyrja e z. Ali Ahmetit në eliminimin e lojërave nëntokësore që po luhen në emrin e tij! Ali Ahmeti është dashamirë i madh i BFI-së dhe gjithnjë ka qenë për funksionimin e këtij Institucioni në kuadër të akteve normative të vetë Institucionit por edhe në kudër të ligjeve të shtetit


Shkruan Afrim Tahiri

Po dëgjohen muhabete nga brenda BFI-së se si Shaqir Fetai, tek po jep shpirt për t’u bërë kryetar ilegjitim i BFI-së, po manipulon në emër të liderit të BDI-së, z. Ali Ahmetit, i cili, gjithnjë sipas Shaqir Fetait, i paska thënë që sa më shpejt t’i emërojë në myftinjë kordinatorët e Myftinive të BFI-së dhe, të siguroj kuorum të Rijasetit për ta emëruar “kryetar”! Sikur të ishte kjo e vërtetë, do të përbënte një problem jashtëzakonisht të madh, sepse, ia zhdukë kushtetutshmërinë si dhe vlerën institucionale vetë Bashkësisë Fetare Islame në vend. Sikur të ishte kjo e vërtetë do t’i jepte arsye të plotë një shqetësimi kombëtar, sepse, do të na dilte për herë të parë “një lider” që e parapëlqen anarkinë dhe zhvlerësimin e institucioneve shekullore fetaro-kombëtare.Ne e dimë dhe besojmë shumë fort që Shaqir Fetai gënjen, se nuk është e vërtetë, se përpiqet që përmes manipulimeve të ulëta ta njollosë z. Ali Ahmetin vetëm që të bëjë karrierë prej “reisi”!Ne e dimë fare mirë që z. Ali Ahmeti e di shumë mirë situatën e brendshme në BFI, se është i brengosur, se ndjenë shqetësim të veçantë dhe se fare nuk është për jetë jashtë normave ligjore të shtetit apo të institucioneve. Është më se e qartë që z. Ali Ahmeti e di fare mirë se cila është kompetenca e ushtruesit të detyrës së një posti, ashtu siç ia ka caktuar vetes Shaqir Fetai, duke i shkelur të gjitha aktet normative të BFI-së.Nuk është në tagrin e Shaqir Fetait që të emërojë myftinjë, apo që të vetëzgjidhet në krye të BFI-së! Ligjërisht, ushtruesi i detyrës ka punë dhe angazhim deri në zgjedhjen apo në emërimin e Kryetarit nga organet kompetente që i njeh Kushtetuta e BFI-së dhe, pas kësaj, ai duhet të ecë apo të rikthehet në postin ku ka qenë.Shaqir Fetai përpiqet që të hap shtigje që do të shndërroheshin në autostrada të shkeljes së akteve normative, të vënies në praktikë të akteve anarkiste, si dhe të krijimeve të precedenteve të reja, pa dyshim, shumë ofenduese për traditën tonë, për jetë institucionale në suaza të normave juridike. A do ta pranonte popullata shqiptare e Maqedonisë së Veriut një lojë të këtillë në kurriz të BDI-së ashtu siç po mundohet ta luaj Shaqir Fetai në dëm të BFI-së?Bashkësia Fetare Islame ka pasur praktika dhe, që nga viti 2005, madje edhe vetë z. Ali Ahemti ka qenë i kyçur në zgjidhje të problemeve, bazuar ekskluzivisht në Kushtetutën e BFI-së dhe jo në teket e individëve. Praktikat e njëjta janë zgjidhur përmes komisioneve ad hoc që kanë pasur kompetenca vetëm të organizojnë zgjedhje të lira e të ndershme për ta bërë BFI-në me kryetar legal dhe legjitim.Këtë lojë karrieriste që po mundohet ta luaj Shaqir Fetai, është jo e ndershme, jolegale, ilegjitime dhe, lojë që mund të shkaktojë revoltë të pakontrollueshme. Mbase këtë detyrë e ka Shaqir Fetai, por, në këtë lojë assesi nuk guxon të llogarisë në afërsinë eventuale që mund ta ketë me liderin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, z. Ali Ahmetin, apo me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.Shaqir Fetait ligjërisht nuk i ka mbetur më kohë për t’i organizuar zgjedhjet e Kryetarit të BFI-së, sepse, nuk ka as kuorum të organeve kryesore që kanë kompetencën e zgjedhjeve të organeve të BFI-së por, mbi të gjitha, nuk ka as rregullore për zgjedhjen e Kryetarit të BFI-së! Nëse ia lejon “Maliqi”, Ligji nuk ia lejon mandatin e “ushtruesit të detyrës” më shumë se gjashtë muaj, ndërkohë që ky “titull” nuk parashihet në asnjë akt normativ të BFI-së!Shaqir Fetai mund t’i manipulojë kordinatorët e myftinive duke ua premtuar postin e myftive në kundërshpëblim me votën e tyre që i duhet atij për t’u zgjedhur “kryetar”  jo legal dhe ilegjitim. Çdo veprim i Shaqir Fetait përtej organizimit të zgjedhjes së kryetarit të BFI-së do të përbënte vepër penale dhe për këtë do të duhej të përgjigjej penalisht! Nëse ai mendon se “i kontrollon” gjykatësit që do të mund të ngrisnin procedurë kundër veprimeve të tij prej anarkisti, atëherë, në ndërgjegje do t’i ngelë një njollë e pashlyeshme deri në Ditën e Kijametit. Natyrisht, nëse ka ndërgjegje, por, gjithësesi që në analet e historisë së BFI-së do të ngelë vetë një Esat Pashë Toptani i dytë!Çdo zgjidhje e njëanshme, pa përfshirjen e Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI, jo vetëm që do të jetë jolegjitime, por, do të jetë vetëm përpjekje për ta ngritur edhe më lartë pirgun e problemeve që nuk do të na bënte nderë as si komb dhe aq më pak si njerëz të thirrur për të predikuar fe!Prandaj, do të ishte jashtëzakonisht e mirëseardhur ndërhyrja e z. Ali Ahmetit me autoritetin e vet të padiskutueshëm në eliminimin e lojërave nëntokësore që po luhen në emrin e tij! Ali Ahmeti është dashamirë i madh i BFI-së dhe gjithnjë ka qenë për funksionimin e këtij Institucioni në kuadër të akteve normative të vetë Institucionit por edhe në kuadër të ligjeve të shtetit. Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI, të cilën e dejtoj unë, në emrin e qindra imamëve dhe teologëve që janë përkrahës të Platformës së kësaj Lëvizje, në emër të mijëra myslimanëve të vendit, lutet që të ndërhyjë z. Ali Ahmeti dhe t’i “prangosë” të gjitha ato duar të huaja që kanë depërtuar në BFI dhe që po mundohen ta turbullojnë e ta shkatërrojnë këtë Institucion, madje duke e njollosur edhe vetë biografinë e liderit të BDI-së, z. Ali Ahmeti.Lutemi dhe shpresojmë për nga e mira dhe e mbara! Amin!
(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së)