Xhevdet Pozhari
Edi Rama paska theksuar se e admiron punën e Erdoganit, si dhe i paska shpallur islamofobët njerëz të paditur.
Në thelb të kësaj interviste, Rama nuk bën tjetër pos që shpërfaq rëndësinë e partneritetit të popullit shqiptar me Turqinë ku jetojnë miliona shqiptarë.
Deklarime të tilla për rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro – turke nuk ka bërë asnjë burrështetas tjetër shqiptar, qoftë nga Kosova apo Maqedonia.
Në të shumtën e rasteve këta politikanë, pranonin nga Turqia fonde milionëshe për ndërtimin e çerdheve, shkollave, spitaleve dhe heshtnin… ndërsa falënderonin USAID-in edhe kur e ndërtonte një WC publike!
Krejt kjo, me gjasë, ndodh shkaku i një inferioriteti që kanë disa politikanë e publicistë për t’u ballafaquar me të kaluarën. Një urrejtje e verbër që nuk i lejon t’i dallojë miqtë nga armiqtë. Një kompleks i mbrojtjes së identitetit shqiptar nga një rrezik imagjinar, nga ata që të njohin si komb e shtet dhe të përkrahin në çdo forum apo organizatë ndërkombëtare. Nga ata që përkrahin shqiptarët politikisht pa kushte.
I vetmi “mëkat” i Turqisë në mendjen e këtyre islamofobëve është pse presidenti i këtij shteti e deklaron shahadetin me gjithë zemër, siç e deklarojnë pjesa dërrmuese e shqiptarëve në Kosovë.