Shala: Nisma duhet të garojë vetë, për koalicion s’kemi asnjë vijë të kuqe

Shala: Nisma duhet të garojë vetë, për koalicion s’kemi asnjë vijë të kuqe

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, thotë se  Nisma Socialdemokrate duhet të shkojë e vetme në zgjedhje, megjithatë thekson se ende nuk ka vendim konkret të partisë për këtë çështje. Largimin e disa emrave të njohur nga partia e Fatmir Limajt, Shala nuk e komenton, për ta flet në përgjithësi, “ka dalje dhe hyrje të njerëzve të ndryshëm”.

Në fundjavë, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj u duk se ka filluar fushatën zgjedhore ende pa u shpallë zgjedhjet. Ai mbajti një takim me aktivistët e Nismës në Grykë të Kaçanikut. Ku shkruante se “Nisma nuk njeh humbje”.

Sot në një bisedë për Gazetën Express, njëri prej njerëzve më të afërt të tij, Endrit Shala, tha se këto takime nuk kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore por janë “takime rutinë”. Nisma është e gatshme për zgjedhje, thekson ai.

“Ne jemi në prag të zgjedhjeve pas dorëheqjes së Kryeministrit. Nisma është deklaruar që Kosova po shkon drejtë zgjedhjeve. Por, këto takime nuk kanë të bëjnë me fushatë zgjedhore, janë takime rutinë që ne i bëjmë vazhdimisht me aktivistët e Nisma-s nëpër degë të ndryshme, këtë vikend ishte radha e Kaçanikut, sot jemi në Malishevë, vikendin e ardhshëm patjetër do të jemi në një komunë tjetër”, tha Shala të martën për Gazetën Express.

Shala pohon se Nisma është e gatshme për zgjedhje. Madje sipas tij në këtë garë duhet hyrë e vetme.

“Unë mendoj që Nisma duhet të shkojë e vetme në zgjedhje, por ende nuk kemi vendim të organeve për këtë çështje”, tha Shala.

I pyetur nëse Nisma ka “vija të kuqe” për ndonjë parti për koalicion parazgjedhor. Shala tha se Kosova nuk ka luks të ketë ndarje brenda spektrit politik.

 “Nuk besoj që Kosova ka luks që të ketë ndarje brenda spektrit politik të ketë vija të kuqe, Nisma vazhdimisht ka qenë për bashkim apo unitet për çështjet nacionale, dhe shumica absolute e sfidave të qeverise së ardhshme janë pikërisht çeshtjet nacionale mbi të cilat duhet të ndërtojmë konsesus të përgjithshëm”, u shpreh Shala.

Sipas Shalës, qeveria e ardhshme duhet ta ketë prioritet mbylljen e çështjeve të hapura politike dhe zhvillimin ekonomik e social.

Ai është pyetur edhe për largimin e emrave të njohur nga kjo parti si: Resul Sinani, Milaim Zeka, Bajram Hasani etj. Megjithatë nuk ka komentuar, sipas tij, vetëm këtë muaj në Nisma janë anëtarësuar mbi 2000 njerëz të profesioneve të ndryshme.

“Jeta politike  në Kosovë është aktive, është e gjallë në kuptimin që çdokund ka lëvizje, ka dalje dhe hyrje të njerëzeve të ndryshëm. Unë s’dua t’i komentoj ato largime të individeve, por ne Nisma jemi në periudhën kur kemi një fluks aderimesh, vetëm në muajin e fundit kemi mbi 2000 aderime të njerëzve të profesioneve të ndryshme, nga dy gjinitë, profesionist të rinjë që i kanë dhënë diversitet edhe më të madh Nismes si parti politike dhe tashme shumica nga ta janë të involvuar në përpilimin e programit elektoral të Nismës”, përfundoi ai.

Ramush Haradinaj dha për herë të dytë dorëheqje prej pozitës së Kryeministrit. Ai sot është nisur për t’u intervistuar nga prokurorët e Gjykatës Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit. Për në Hagë është nisur edhe Jakup Krasniqi.

Të premtën, Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet “vendimmarrja popullit”. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendim, më pas Kadri Veseli, ka thënë se zgjedhjet janë të pashmangshme. LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e Nisma./Gazeta Express