SHBA vijojnë të thyejnë rekorde infektimesh ditore

SHBA vijojnë të thyejnë rekorde infektimesh ditore

Shtetet e Bashkuara shënuan një rekord të ri ditor infektimesh. 24 orët e fundit shënuan 66 mijë të infektuar të tjerë që e çojnë në mbi 3.3 milionë numrin e të prekurve në gjithë vendin, që prej nisjes së pandemisë.
Zonat me nivelin më të lartë të infektimeve janë shtetet federale jugore, si Teksasi, Luiziana e Florida. Për të parën herë, presidenti amerikan Donald Trump u shfaq me maskë, gjatë një vizite në një spital në Uashington.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë shprehu opinionin e tij të ndryshuar se ishte diçka e mrekullueshme të mbaje maskë.
Në Brazil, vendin e dytë në botë për nga numri i të prekurve, autoritetet shprehin shqetësimin për shtimin e rasteve të abuzimeve në rrjetet sociale me kura të rreme kundër COVID-19ës, që rrezikojnë shëndetin e pacientëve. Me ritme të shpejta po shtohen edhe të prekurit në Indi, që tashmë është konsoliduar në vendin e tretë në renditjen botërore me mbi 800 mijë të prekur.
Në të gjithë globin, të prekurit numërohen mbi 12.8 milionë, mes të cilëve afro 569 mijë kanë humbur jetën.