22 Shtator 2018 / 14:58
Nënkryetarja e KSHZ-së Ditmire Shehu, në një intervistë për Alsat, duke theksuar përgatitjet e fundit për procesin e referendumit, ka përsëritur se lista zgjedhore nuk është e përkryer por të dhënat përditësohen në vazhdimësi. Shehu thotë se mes anëtarëve të këtij institucioni, nuk ka ndikime politike, edhe pse ata janë të propozuar nga partitë. Partitë nuk do të kenë vëzhguesit e tyre në Këshillat Zgjedhor, po ata duhet të dërgohen nga Kuvendi. KSHZ-ja, beson se rezultatet preliminare nga votimi mund të shpallen më shpejt se në zgjedhje.
Zonja Shehu, KSHZ-ja në proceset e fundit zgjedhore është përballur me një sërë vështirësish konkretisht sa i takon listës zgjedhore por edhe ndikimeve politike që ka pasur. Sa i vështirë ka qenë deri tani organizimi i referendumit nga ana e KSHZ-së?
Azhurnimi i listës zgjedhore është një proces i cili zhvillohet në vazhdimësi. Sa i takon listës zgjedhore e cila do të përdoret në referendum, ajo ka kaluar nëpër disa filtra. Filtrin e fundit e kishte me inspektimin publik të listës nga ana e qytetarëve. Disa herë e kam përmendur se lista zgjedhore nuk është ideale. Mund të hasim në disa lëshime eventuale por ne si KSHZ punojmë në vazhdimësi të përmirësohemi sa më tepër të jetë e mundur. Të sqarojmë opinionin se KSHZ-ja të dhënat për listën i merr nga institucionet tjera shtetërore, konkretisht edhe nga Ministria për Punë të Brendshme.
Nga seancat e KSHZ-së vërejmë një njëfarë konstruktiviteti më të madh mes anëtarëve në krahasim me përbërjen e kaluar. A do të thotë kjo se tashmë në KSHZ nuk ka ndikime të theksuara politike mbi anëtarët?
KSHZ-ja është një institucion i cili detyrë kryesore e ka organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve, në rastin konkret, referendumin. Përbërja e KSHZ-së në të vërtetë është propozuar nga partitë politike mirëpo ne si përbërje e re, detyrën kryesore e kemi zbatimin e ligjeve që janë në Republikën e Maqedonisë. Sipas kësaj, influenca politike nuk ka. KSHZ-ja ka kapacitet të mjaftueshëm për të realizuar një proces demokratik dhe të suksesshëm.
Si do të funksionojnë këshillat zgjedhor në ditën e votimit? A do të kenë partitë politike përfaqësuesë të tyre si vëzhguesë?
Duke pasur parasysh ligjin për referendum, në të cilin është e përshkruar mënyra se si përbëhen këshillat zgjedhor dhe të cilët janë me mandat prej zgjedhjeve lokale, partitë politike nuk do të kenë anëtarë në këshillat zgjedhor por ata do të përbëhen nga gjashtë anëtarë nga administrata shtetërore dhe administrata publike. Partitë politike nuk do të kenë vëzhgues, të drejtë për vëzhgim në këtë rast ka propozuesi i referendumit, në rastin konkret, Parlamenti i Republikës së Maqedonisë.
Zakonisht pas përfundimit të votimit është pritur vetëm disa orë për t’u shpallur nga KSHZ-ja rezultatet priliminare por disa ditë për rezultatet përfundimtare. Sa do të presin qytetarët për një rezultatet konkret nga referendumi duke qenë se në këtë rast kemi vetëm dy opsione, “për” dhe “kundër”?
Një nga arsyet janë edhe të dhënat në fletvotim. KSHZ-ja gjatë procesit të trajtimeve që kemi pasur me Komisionet Komunale Zgjedhore, në mënyrë të veçantë ua ka sqaruar edhe formën se si do të bëjnë plotësimin e proces-verbaleve dhe numërimin e votave, gjë që ndikon edhe në shpejtësinë e publikimit të dhënave nga ana jonë si KSHZ. Praktikë deri tani siç e dini është edhe publikimi i rezultateve online që do të thotë, do të funksionojë edhe këtë vit. Pas përfundimit të votimit, KSHZ-ja nuk do të ketë pengesa që të shpallë edhe rezultatet preliminare. Pastaj do të presim edhe nëse ka kundërshtime. Vlen të cekim se ditën e votimit do të mundohemi që maksimalisht opinioni të jetë i njoftuar për çdo gjë që do të ndodhë në procesin e votimit ndërsa jehonën e votuesve kësaj radhë do të mund ta ndiqni në çdo dy orë.
Fatlume Dervishi