Shëndetësia nuk është biznes

Shëndetësia nuk është biznes

Që të gjithë, profesionist e laik, pajtohen se shëndetësia nuk ka funksionuar as në të kaluarën, e nuk po funksionon as tash, si duhet. Dallimet në vlerësime, në nuanca, që mund të shfaqen nga këndvështrime të ndryshme për shkaqe nga më bizaret, janë të papërfillshme.

Shëndetësinë nuk e kemi kuptuar asnjëherë se si funksionon, sa delikat dhe specifik është ky sistem, sa shumë akter janë të ndërthurur në te dhe sa pak njerëz me njohuri optimale për këtë sistem kemi në vendin tonë. Deri tash shëndetësia është trajtuar si një plaçkë të cilën kush më pak e kush më shumë, në emrin e “reformave” të tregut të “lirë e të hapur”, e shfrytëzuan si mos me keq.

Por ky nuk është shkrim as për dështimet e shëndetësisë, as për ate se si gjendja erdhi deri këtu ku është tash, as për të gjithë individët me mbështetje politike që i kontribuan kësaj, as për atat që përfituan pa meritë nga një gjendje kaosi që në fakt e krijun vet, e as për viktimat e këtij sistemi që u përndoqën nga individë e grupe politike e biznese të lidhura me shtetin, me mekanizma të shtetit, deri në eliminim fizik.

Ky shkrim ka të bëjë me ate se si duhet konsideruar në të ardhmen shëndetësia dhe personazhet kryesor të këtij sistemi delikat, pacientët dhe mjekët, që ky sistem të ofrojë kujdesin për të cilin shumica do të jenë të kënaqur.

Ngado në botë janë thirrjet për ndërtimin e sistemit shëndetësor të përqendruar në pacient. Ky koncept praktikisht është bërë një me konceptin e të konsideruarit të pacientientëve si konsumatorë. Për dallim nga e kaluara, sot kujdesi shëndetësor i “udhëhequr nga konsumatori” po ndërlidhet me përpjekjet neoliberale për të spikatur faktorët e tregut, duke e nënvlerësuar rolin regulator dhe ate financiar të qeverisë.   Trajtimi i shëndetësisë si një biznes i udhëhequr nga tregu është i gabuar.

Paientët apo ata që në të ardhmen mund të bëhen pacintë shpesh nuk kanë mundësi zgjedhjeje. Mundësitë e përzgjedhjes i kanë të kufizuara, zgjedhja në mes një spitali public dhe atij privat varet ndër të tjera nga potenca financiare e individit të caktuar apo familje së tij. Por edhe kjo nuk është ndonjë zgjedhje; në shumicën e spitaleve private tek ne janë po të njejtit mjek që janë edhe në ato publike. Për më tepër, pacientët nuk i kanë informatat dhe njohurite e duhura, ndërsa sistemi shëndetësor nuk ka asortimentin e mjaftueshëm të shërbimeve, që pacienti, me kusht që financiarisht qëndron mirë, të mund të zgjedhë dhe të blejë një shërbim të caktuar shëndetësor. Pacientët janë kategori jashtëzakonisht vulnerabile, shpesh në terr të plotë infromativ, të varur nga të tjerët për nevojat që kanë. Ai që një herë të vetme ka qënë në emergjencën e qytetit e kupton menjëherë se ky vend nuk është një supermarket ku mund të blesh ate që don ose mundesh.

Mjekët në anën tjetër janë mjekë, e jo ofrues të shërbimeve shëndetësore, apo çfardo shpjegim tjetër subject i konceptit biznesor. Ata para së gjithash janë qenje njerëzore, me përparësite dhe të metat e tyre, por me një shkallë të lartë të empatisë për pacientët. Ata duhet vet t’u rezistojnë presioneve e joshjeve të bizneseve, farmaceutikë pikë së pari, që pacientin ta konsiderojnë konsumator dhe ata vet të shëndërrohen në agjent tregtar për të shitur një shërbim a mall të panevosjhmë, të dyshimtë apo në raste edhe të keq e të dëmshëm. Etika mjekësore nuk ka të bëjë asgje me etikën e biznesit.

Sistemi shëndetësor, gjithëherë do të mbetet një sistem komponenta sociale e të cilit do të jetë e domosdoshme dhe e rëndësishme, tek ne më shumë se në shumë vende të tjera, ndërsa përkujdesi i shtetit për te duhet të jetë i pranishëm ashtu që të sigurohen shërbime të pranueshme shëndetësore për të gjithë që kanë nevojë, duke siguruar shërbime optimale dhe duke kundërshtuar ato të shtrenjtat, “high tech” të panevojshme, terapi nga më të rejat që kushtojnë shumëfish më shtrenjtë se ato parapraket e me sukses të papërfillshëm krahasuar me të parat, që shpenzojnë bugjetin dhe ndihmojnë pak njerëz, duke lënë shumicëm në mëshirën e fatit. Sjella konsumatore nuk është veqori e asnjë sistemi shëndetësor, sepse në themelin e tij shëndetësia nuk është biznes i udhëhequr nga ligjet e tregut. Duke i kuptuar këto, do të jetë lehtë të bëhen ndryshimet e nevojshme sistemore që do ti zhbënin vendimet e gabuara të së kaluarës e do ta drejtonin sistemin shëndetësor në kahjen e duhur.

Prof. Asoc. Dr. Ilir Q. Tolaj

TAGS