Alsat 2019-12-02T15:57:41+01:00
Njëri në harmonikë, tjetri në kitarë e dikush tjetër në piano. Përmes tingujve të këtyre instrumenteve u interpretuan melodi të ndryshme këngësh për të shënuar Ditën ndërkombëtare të personave më aftësi të kufizuara. Mes tyre është edhe 10 vjeçari Aldin Murati nga Kumanova, nxënës i shkollës për fëmijët me shikim të dëmtuar “Dimitar Vllahov” i cili i mbërthyer nga emocionet doli para publikut duke luajtur me harmonikë. Me pak fjalë ai para kamerës tregoi për kohën që kalon në shkollë dhe dashurinë ndaj instrumenteve muzikore.
Shkrim dhe lexim kam mësuar. Çka bëni kur keni kohë të lirë? Qëndrojmë në klasë, nuk dalim jashtë, rrimë brenda. Unë e kam mësuar mirë harmonikën. A ke me bë ndonjë këngë kur të rritesh? E kam bë një me piano, vet e kam menduar ajo është vetëm melodi”-tha Aldin Murati, nxënës.
Babai i tij thotë se është e vështirë të udhëtohet çdo ditë Kumanovë-Shkup, por dëshira e djalit për të mësuar e tejkalon çdo vështirësi. Madje, ai tregon se në shtëpi tashmë i kanë siguruar thuajse të gjitha instrumentet muzikore.
Edhe në shtëpi bën muzikë. Ka lind me problem, të gjitha kontrollet ia bëjmë kur është nevoja, çdo tre muaj, çdo gjashtë muaj ia bëjmë kontrollet…Deri tash I kemi bo vet pagesat, tash e kanë liruar dhe nuk bëjmë pagesa, na kanë liruar prej fondit”-tha Feim Murati, prind.
Në ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara edhe një herë u aktualizuan kërkesat dhe nevojat e personave në fjalë. Vërejtjet me të theksuara kishin të bëjnë me infrastrukturën, fushën e arsimit dhe pajisjet ortopedike.
Në pjesën e arsimit akoma ekzistojnë dallime të nxënësve me pengesa dhe akoma ekzistojnë mjedise ndarëse në arsim si dhe në mënyrën e punës të çerdheve dhe shkollave, posaçërisht për nxënësit me pengesa intelektuale. Është e nevojshme që në listën për pajisje ortopedike të vendosen pajisje ndihmëse me cilësi më të mirë dhe të sofistikuara si dhe të rriten çmimet referente për furnizimin e tyre”-pohoi Branimir Jovanovski, “Mobilnost Maqedoni”.
Personat me aftësi të kufizuara u kujtuan edhe nga përfaqësuesit qeveritar dhe presidenti i shtetit. Të gjithë njëzëri sërish premtuan të ardhme më të mirë dhe kushte më të përshtatshme për këtë kategori të qytetarëve.
Melihate Rustemi
Loading…