17 Nëntor 2018 / 17:31
Banorë të caktuar të lagjes Vizbeg po mbajnë peng ndërtimin e një shkolle fillore në këtë lagje për shkak se nuk pajtohen që hyrja kryesore e shkollës të kaloj pranë rrugës së shtëpive të tyre që njëkohësisht edhe është pronë private e tyre. Kështu tha për Alsat, kreu i Butelit Velimir Smilevski i cili shton se ka kryer të gjitha obligimet e komunës për nisjen e punimeve ndërtimore përvec formulimit të Planit detal arkitektonik në të cilin duhet të qëndrojë hyrja zyrtare e shkollës.
Sipas Planit detal urbanistik, hyrja kryesore duhet të kaloj rreth këtyre 10 shtëpive që të mund ta formulojmë planin detal arkitektonik. Nëse arrijmë pajtueshmëri nga personat e caktuar vlerësoj se për një kohë shumë të shkurtër do të jemi gati ne si Komunë. Mos ta teproj por dokumentacioni sigurisht do të jetë gati për më pak se një muaj. Me këtë do ti përmbyllim të gjitha obligimet tona dhe shpresojmë se do të mund të fillojmë ndërtimin e shkollës. Komuna ka kryer të gjitha obligimet që kishte si komunë, problemi është popullata të gjej gjuhë të përbashkët dhe mirëkuptim që të mund të kemi hyrje zyrtare, pa hyrje zyrtare nuk mund të jepet leja për ndërtim”- u shpreh Velimir Smilevski, kryetar i Komunës Butel.
I pari i Butelit thotë se disa nga banorët kanë ofruar madje edhe oborret e shtëpive të tyre për krijim të rrugëve të reja që shpien drejt objektit të ri shkollor. Këto të fundit apelojnë që bashkëvendësit e tyre për të ndihmojnë në tejkalimin e mosmarrëveshjeve.
Shkollës tonë ia japim një mundësi që ta ketë rrugën, të furnizohet për ndërtim, afër shtëpive tona këtu e kemi, është rruga që posedon 6 metra gjerësi, që mund të udhëtoj çdo kamion, çdo mjet për ndërtimin e shkollës, e ka të lirë”- theksoi Sadik Ibrahimi, banor.
Ka edhe pengesa por ne do të diskutojmë edhe më kryetarin, do të mblidhemi banorët e lagjes së Vizbegut, do të bisedojmë, do ta zgjidhim këtë problem njiher e përgjithmonë për arsye se mbi 800 nxënës mësojnë, procesin mësimor e vijojnë në shkollën e Shutkës që e kanë larg 3-4 kilometra prej këtu, kështu që e domosdoshme është këtu shkolla për tu ndërtu”- tha Misim Dardhishta, banor.
Në rast të mos zgjidhjes së problemit, kreu i Butelit paralajmëron edhe masa tjera për zgjidhjen e problemit me shkollën.
Do të ndërmarrim masa të cilat nuk dëshiroj ti ndërmarr. Dëshiroj të gjithë të jemi të barabartë në komunë, do të duhet të ndërmarrim nisma për shpronësim të cilat ndoshta mund të jenë edhe problematike. Në të kundërtën do të ndërmarrim masa ligjore që të gjejmë një qaje të tillë”- theksoi Velimir Smilevski, kryetar i Butelit.
Sipas Smilevskit nuk është e drejtë dhe ligjore që nxënësit e komunës Butel të ngarkojnë dhe uzurpojnë shkollat e komunave tjera kur tashmë janë siguruar mjete dhe kanë përfunduar të gjitha procedurat për ndërtimin e një shkolle të re në Vizbeg. Mbi 800 nxënës të kësaj lagje mësojnë në shkollën fillore “26 korriku” të komunës Shuto Orizarë. Ndërsa shumë nxënës të tjerë mësojnë edhe në shkollat e Çairit dhe Karposhit.
Melihate Rustemi
Loading…