Shkupi i pafuqishëm përballë Beogradit për pikën kufitare Llojan-Miratoc (VIDEO)

Shkupi i pafuqishëm përballë Beogradit për pikën kufitare Llojan-Miratoc (VIDEO)

Pika kufitare Llojan-Miratoc mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë vështirë se mund të hapet së shpejti, shkruan gazeta Lajm. Këtë tani e pranojnë edhe zyrtarët më të lartë shqiptarë në Shkup, që në shumë cikle të kaluara zgjedhore zotoheshin se do të hapnin kufirin për të shkurtuar distancën mes banorëve shqiptarë të kësaj zone. Zëvendës kryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani, thotë se pavarësisht përpjekjeve të shumta, akoma nuk ka arritur ta bind palën serbe për të hapur pikën kufitare Llojan-Miratoc, shkruan gazeta Lajm.

“Për momentin qëndrimi zyrtar i Serbisë, sa i takon pikës kufitare Llojan-Miratoc është se ata nuk kanë interes për të hapur këtë pikë kufitare sepse vlerësojnë se 13 kilometra afër asaj pike kufitare është pika kufitare Tabanoc dhe për disa kalime gjatë ditës ata nuk kanë llogari të mbajnë atje njerëz, por ne këtu nuk i kemi ndaluar përpjekjet”, tha Bujar Osmani, zëvendës kryeministër për çështje Evropiane në Maqedoni .

Për hapjen e kësaj pike kufitare janë angazhuar edhe autoritetet lokale të Preshevës si dhe disa ambasada perëndimore në Shkup dhe Beograd, shkruan gazeta Lajm. Por, pala serbe është treguar e vendosur dhe ka refuzuar çdo përpjekje për të lejuar lëvizjen e lirë mes banorëve shqiptarë në fshatrat kufitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Dy muaj më parë, ekipi i gazetës Lajm ka vizituar Llojanin dhe vendin ku ishte paraparë të hapet kufiri. Ndonëse rruga është e asfaltuar, autoritetet serbe nuk lejojnë kalimin e banorëve.

“Më shumë jemi të interesuar pse nuk hapet, çfarë ka. Në Pelincë janë vetëm 6 shtëpi me maqedonas dhe ka kufi, kurse te ne 600 shtëpi ka Llojani dhe 1000 Miratoca, nuk çelet” tha dy muaj më parë para kamerës së gazetës Lajm, Selami Memeti, kryetari i Bashkësisë Lokale të Llojanit.

Banorët e këtyre fshatrave dy muaj më parë paralajmëruar se do të bllokojnë autostradën e korridorit 10 dhe pikën kufitare “Tabanoc” mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, nëse së shpejti nuk hapet kalimi kufitar mes fshatit Llojan-Miratoc.

“Nëse nuk çelet, verës kur të vijnë mërgimtarët do ta organizojmë një demonstratë dhe do ta bllokojmë kufirin në Tabanoc sepse zgjidhje tjetër nuk ka mbetur”, u shpreh dy muaj më parë, Selami Memeti, kryetari i Bashkësisë Lokale të Llojanit

Distanca mes Llojanit që bie në Maqedoni dhe Miratocës në Serbi është vetëm 2 kilometra, banorët shqiptarë të këtyre dy fshatrave që kanë lidhje të ngushta familjare, për të bërë vizita mes veti duhet të përshkojnë mbi 70 kilometra dhe të shpenzojnë shumë para.

Rruga mes këtyre fshatrave u mbyll, në vitin 1991, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, kur Maqedonia fitoi pavarësinë dhe vendosi kufirin me Serbinë. /Gazeta Lajm

Gazetar: Reshat Ibrahimi & Operator: Amir Idrizi