Alsat 2020-01-26T16:15:36+01:00
Mbrëmë, sipas listës së “Ervizhual”, faqja e internetit që e tregon cilësinë e ajrit në suaza botërore, Shkupi ka qenë në vendin e parë për ndotjen e ajrit në botë. Mëngjesin e sotëm, me uljen e grimcave PM10, kryeqendra ka rënë në pozitën e tetë në këtë listë. Ndotja e ajrit duket që edhe këtë vit do të jetë sfidë serioze për vendin tonë. Pasi dy ditë me radhë, ndotja kaloi normat e lejuara, mbrëmë edhe autoritetet e qytetit dolën me rekomandimet standarde tashmë të dëgjuara për mbrojtje: më shumë persona të voziten me një makinë, të shfrytëzohet transporti publik, të mos dilet në hapësira të hapura dhe amvisëritë të mos ngrohen me mbetje të ndryshme. Pasojat nga ndotja e ajrit i ndjejnë edhe qytetarët, të cilët kërkojnë masa urgjente dhe afatgjate.
“Të ndërmerret diçka urgjentisht. Nëse moti ngrohet, do të jetë edhe më vështirë. Mjegull në Shkup ka pasur çdoherë, por nuk ka kundërmuar si tani”.
“Duhet të formohet Komision që do të merret me këtë problem. Të shohim si rregullohet kjo çështje në vendet e Perëndimit”.
“Ku të gjejmë zgjidhje? E shohim që ndërtime ka në çdo centimetër, s’kemi gjelbërim, makinat ndotin shumë”.
Në debatin e fundit të organizuar nga LSDM-ja, profesori Dejan Mirakovski nga Universiteti i Shtipit prezantoi matje shkencore dhe analiza rreth ndotjes së ajrit. Të dhënat tregojnë se ndotje më e madhe në Qytetin e Shkupit vjen nga djegia e biomasës për ngrohje. Gjithashtu u hulumtuan edhe dy lloje lokacionesh. Në vendin ku ka pasur trafik dhe makina, proceset e djegies ishin 72%, ndërsa në lokacionin në prapavijë, është më e ulët për 3%. Mirakovski beson se shteti nuk investon sa duhet në studime dhe kërkime shkencore.
Kemi nevojë për Fond shkencor që do të mund t’i përdorë paratë dhe të hulumtojë probleme specifike. Ne duhet të rrisim më shumë njohuritë dhe të kemi më shumë specialistë mjedisorë në sektorin e arsimit të lartë të cilët mund të identifikojnë dhe matin diçka, t’i përmirësojmë kapacitetet e laboratorëve shkencorë për të qenë në gjendje të hetojnë lloje të caktuara të mbeturinave. Në vend të ndalesave, më shumë njohuri dhe më shumë kontroll do të ishin një zgjidhje pak më efikase – tha Dejan Mirakovski – Profesor.
Analizat e të dhënave të grimcave PM10 tregojnë se ka pasur një rënie të ndotjes së ajrit në Shkup gjatë vitit të kaluar, që do të thotë se qytetarët thithin ajër më të pastër, por jo edhe mjaftueshëm të pastër. Ndërsa Ministria e Mjedisit u referohet rezultateve të stacioneve matëse dhe masave të marra, sektori joqeveritar mendon se të dhënat nuk kanë asnjë lidhje me politikat qeveritare, por se ashtu ka qëlluar moti.
Alsat
Loading…