Sholtes: Strategjia e Komisionit Evropian, një mesazh pozitiv për Kosovën

Sholtes: Strategjia e Komisionit Evropian, një mesazh pozitiv për Kosovën

Strategjia e re e zgjerimit të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor është një zhvillim “shumë pozitiv”, tha raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Igor Sholtes.

Anëtari i ‘Të Gjelbërve’ – Aleancës së Lirë Evropiane dhe deputeti slloven i Parlamentit Evropian diskutuan strategjinë e re të Komisionit të miratuar dy javë më parë dhe perspektivat e Kosovës për rrugën e saj të integrimit Evropian ndërsa vendi përgatitet të shënojë përvjetorin e 10-të të pavarësisë fundjavën e kaluar.

“Ne duhet të shohim një pamje më të gjerë”, tha Sholtes në një bisedë telefonike me Prishtina Insight.

“Dokumenti i strategjisë është shumë pozitiv dhe [të martën] kam marrë pjesë në debatin plenar … atmosfera ishte shumë pozitive”.

Strategjia e re e Komisionit Evropian paraqet disa vende të Ballkanit Perëndimor me një “perspektivë të mundshme në vitin 2025” për pranim, por liston reforma të shumta të nevojshme që duhet të trajtohen përpara se njëri nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të mund të bashkohet me familjen e BE-së.

“Tani dera ose dritarja, ashtu si ju pëlqen, është e hapur”, vazhdoi Sholtes, duke shtuar se ky është një zhvillim mbresëlënës dhe pozitiv në krahasim me fjalimin e presidentit të Komisionit Evropian Juncker në vitin 2014, kur ai thoshte hapur se nuk do të kishte zgjerim. “Ne po shohim një perspektivë shumë të qartë evropiane për vendet”.

Sidoqoftë, Sholtes pranoi se strategjia pohoi se kishte dallime midis vendeve të Ballkanit. Serbia dhe Mali i Zi, për shembull, tashmë janë në negociata për anëtarësim, dhe sipas strategjisë, Shqipëria dhe Maqedonia mund të anëtarësohen gjithashtu.

“Ka dallime midis vendeve, nuk mund ta mohoni këtë, ky është një fakt”, tha Sholtes. “Por, për çdo vend mund të gjesh përparësi dhe mangësi, reforma që duhet të bëhen”, vazhdoi ai.

Raportuesi i ri për Kosovën, i cili mori detyrën në tetorin e kaluar, duke zëvendësuar eurodeputeten austriake, Ulrike Lunacek, tha se asnjë vend nuk ka një afat kohor të caktuar për pranim.

“Varet nga secili vend sa aktiv do të jetë në të ardhmen”, tha Sholtes.

“Parimi i garës me varka mund të ndryshohet dhe gjithashtu edhe pozita e vendeve mund të ndryshohet”, tha Sholtes.

Strategjia e zgjerimit rendit reformat e nevojshme në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe kushtëzimin për anëtarësim me zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve dypalëshe, si parakushte të domosdoshme për vendet e Ballkanit Perëndimor për të ecur përpara.

Për Kosovën, e cila do të vazhdojë të zbatojë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, strategjia tha se këto reforma, si dhe “rrethanat objektive”, janë të nevojshme për të ecur më tej në rrugën evropiane.

Disa analistë dhe politikanë në Kosovë nuk e pranuan mirë strategjinë, duke argumentuar se ishte e padrejtë ndaj vendit. Sholtes tha se disa pakënaqësi duhet të priten dhe se reformat e kërkuara për pranimin e Kosovës në BE “varen nga politikanët [e Kosovës]”.

“Është gjithashtu një mesazh pozitiv për Kosovën. Ne vetëm duhet të bashkojmë disa gjëra dhe të përmbushim disa detyrime nga të dyja palët, dhe treni do të vazhdojë përpara”, tha Sholtes përpara se të shtoj këtë “një udhërrëfyes realist” për të vlerësuar se çfarë është e arritshme dhe kur Kosova mund të marrë statusin e vendit kandidat.

Kosova është i vetmi vend në perëndim të Ukrainës që nuk ka regjim pa viza me vendet e Shengenit. Sholtes tha se nëse Kuvendi i Kosovës kalon marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, vendi do të jetë në rrugën e tij drejt liberalizimit të vizave.

“Ju mund ta keni atë nesër, kjo varet nëse ju merrni 2/3 e shumicës në parlament”, tha ai. “Gjithçka që ka të bëjë tani me liberalizimin e vizave është në duart e politikanëve të Kosovës”.

Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi ende nuk është vënë në votim, por kryeministri Ramush Haradinaj ka kundërshtuar marrëveshjen në të kaluarën, duke pretenduar se Kosova humb 8 mijë hektarë tokë.

“Juncker tha qartë se nuk do të ketë zgjerim pa zgjidhjen e marrëdhënieve dypalëshe mes vendeve, që përfshin demarkacionin e kufirit. Ndoshta sepse mësuan shumë nga problemet midis Sllovenisë dhe Kroacisë”, tha Sholtes, duke qeshur.

Mosmarrëveshja kufitare Kroaci-Slloveni lidhur me ujërat detare në Gadishullin Istrias daton nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Kroacia nuk njeh një vendim nga Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit në Hagë në favor të Sllovenisë, të dhënë qershorin e kaluar.

Strategjia gjithashtu kushtëzon perspektivën e pranimit të Serbisë në krijimin e “një marrëveshje të detyrueshme” me Kosovën.

Soltes u bëri thirrje të dy vendeve të vazhdojnë dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, i cili ka ngecur vitin e kaluar dhe u pezullua përsëri pas vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

“[Pajtimi] është një çështje që është e rëndësishme për të dy vendet. Të dy palët duhet të vazhdojnë me dialogun”, tha Sholtes.

Pa komentuar nëse marrëveshja e detyrueshme do të kërkonte që Serbia të njohë shtetësinë e Kosovës, Soltes tha se marrëveshja do të varet nga Prishtina dhe Beogradi.

“Kemi kërkuar disa herë që të dy palët të gjejnë vullnet të mirë për të zgjidhur çështjet, për t’u afruar më shumë në disa tema. Me të vërtetë varet se si të dyja palët i afrohen këtij problemi, e di që nuk është e lehtë”, përfundoi ai.