Shqipëri: Opozita përsëri në protestë, Rama fton për dialog

Shqipëri: Opozita përsëri në protestë, Rama fton për dialog

Pas ngjarjeve të protestës së të shtunës mbrëma në Tiranë, ku dhjetëra policë e qytetarë mbetën të lënduar nga përplasjet e dhunshme mes vete, 84 protestues janë të proceduar për “aktet e dhunës ndaj punonjësve të policisë dhe institucioneve shtetërore”, ku 50 nga ta janë të arrestuar.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për media tha se nga protesta e opozitës “nuk ka fitues dhe humbi çdokush”, dhe shtoi se është i gatshëm për dialog me kreun opozitar, Lulzim Basha.

“Unë jam këtu i gatshëm për dialog, për të diskutuar me Lulzim Bashën. I kanë djegur karriget e tyre dhe janë popull. Ulemi, flasim dhe kthejmë në nisma ligjore shqetësimet që ata kanë për të përmirësuar jetën e popullit, nëse kjo nuk është një luftë e ulët për të bërë një pazar. Të ulemi dhe të flasim për çdo shqetësim. Të ulemi, të flasim për çdo gjë, së ndryshe më herët se vonë, turpi do t’i ndjek pas gjithë kohës, ata të cilët kanë ende mundësi që të kenë turp”, theksoi Rama.

Kryeministri ripërsëriti se protestat e dhunshme nuk janë alternativë, duke i çuar mesazh liderit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha se ka tërhequr partinë e tij nga rruga demokratike dhe vullneti i qytetarëve, për të pasur opozitë në Kuvend, dhe e ka vendosur atë në rrugë.

“Kam një mesazh për mikun tim rrugë-humbur. Kujtoje mesazhin që të kam çuar kur i ke hyrë kësaj rruge, përpara shumë kohësh. Po e përsëris prapë se nuk je vonë akoma që të kthehesh nga kjo rrugë, për një arsye të thjeshtë se llogarinë ata që të ndjekin, do ta kërkojnë ty. Nuk ka lider në botë, por ti nuk je lider, që ta tërheqë partinë e vet nga stacioni i alternativës udhëheqëse nga ky stacion që thoshe aman ik”, tha Rama.

Në anën tjetër, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i mbledhur me rreth 100 mbështetës të tij pranë Drejtorisë së Policisë, ku po kërkonin lirimin e protestuesve të arrestuar, ftoi qytetarët përsëri në një protestë tjetër në ditën e hënë, dhe tha se Qeveria aty do të “marrë përgjigjen e plotë nga shqiptarët e bashkuar”.

“Vetëm pak orë më parë, junta kriminale e Edi Ramës e shndërroi Tiranën në një fushëbeteje me popullin, në një fushëbeteje me protestuesit, të cilët u bashkuan në protestën më të madhe për liri, për demokraci, për Kushtetutë për shtet të se drejtës, për gjithçka që duhet e do ta bëjë Shqipërinë Evropë. Vetëm pak orë më parë, e gjithë qendra e Tiranës, u përball me gazin helmues. Ky ishte një akt kriminal që kjo juntë kriminale i përgjigjet aspiratës për liri dhe demokraci”, tha Basha.

Për përshkallëzimin e protestës dhe kalimin e saj në përleshje dhe dhunë, ka reaguar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë. Nga ky delegacion thënë se dhuna nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë dhe u bë thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët.

“Protesta paqësore është një vlerë thelbësore e një demokracie moderne evropiane. Dhuna nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë. Duke pasur parasysh protestat e shpallura sot dhe në ditët e ardhshme në Tiranë, Delegacioni i Bashkimit Evropian u bën thirrje protestuesve dhe udhëheqësve të tyre politikë të tregojnë përgjegjësi dhe përmbajtje. Pikëpamjet e ndryshme politike duhet të trajtohen përmes debatit dhe dialogut”, thuhet në deklaratën e tyre.

Edhe misionet tjera diplomatike në Tiranë kanë dënuar dhunën e ushtruar dhe kanë ftuar të gjitha palët të ruajnë qetësinë dhe se dialogu është e vetmja zgjidhje demokratike.

Protesta e së hënës do të shënojë protestën e pestë kombëtare që nga mesi i muajit shkurt, kur partitë opozitare Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, bashkë me aleatët e tyre të djathtë u larguan nga Parlamenti duke hequr dorë nga mandatet e tyre si deputetë në Kuvend.

Protesta të tjera më të vogla organizohen nga opozita pothuajse çdo javë të shtrira nëpër gjithë vendin.

Kërkesa kryesore e opozitës është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie tranzitore që garanton organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ajo ka vendosur të bojkotojë dhe zgjedhjet lokale të 30 qershorit, duke kërcënuar se nuk do të lejojë mbajtjen e tyre.

Në anën tjetër, Qeveria në krye me Edi Ramën, partia e së cilit ka shumicën e ulëseve në Kuvend dhe njihet si qeveri legjitime brenda dhe jashtë vendit, ka thënë se zgjedhjet vendore do të zhvillohen në datën e caktuar dhe më 30 qershor, ku qytetarët do të zgjedhin kryebashkiakët e tyre.

Qeveria e Shqipërisë po ashtu ka thënë se këto protesta opozitare do të dëmtojnë çeljen e bisedimeve të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Shqipëria, që është anëtare e NATO-s, pret që këto bisedime t’i fillojë në muajin qershor të këtij viti.

TAGS