Shqipëria, favorite për të fituar sonte kundër Andorrës

Edhe pse e ka të pamundur të kualifikohet në Kampionatin Evropian 2020, Kombëtarja e Shqipërisë synon t’i gëzojë tifozët e vet me një fitore bindëse sonte kundër Andorrës, ndeshje kjo në të cilën kuqezinjtë vlerësohen favoritë.

Kombëtarja e Shqipërisë do ta presë atë të Andorrës sonte në
orën 20:45 në stadiumin “Elbasan Arena”, për ndeshjen e parafundit në kuadër të
Grupit H kualifikues për EURO 2020, shkruan Gazeta Express.

Shqipëria siguroi fitore me rezultat 4:0 kundër Moldavisë në
ndeshjen e fundit, megjithatë, me vetëm dy ndeshje të mbetura në Grupin H, kuqezinjtë
e kanë të pamundur kualifikimin në EURO 2020, edhe nëse i fitojnë të dy
ndeshjet e radhës.

Në anën tjetër, Andorra kishte pësuar humbje me rezultat 2:0
kundër Islandës muajin e kaluar dhe i kanë marrë vetëm tre pikë në këtë kampanjë
kualifikuese. Andorra është në garë me Moldavinë për vendin e fundit në grup.

Statistikat e të dyja skuadrave sugjerojnë se Shqipëria do të
triumfojë në këtë ndeshje dhe do ta mbajë portën e paprekur kundër Andorrës,
pasi që diçka e tillë ka ndodhur në tri nga katër ndeshjet mes dy skuadrave – të
cilat Shqipëria i fitoi 3:0.

Shqipëria e kishte fituar edhe ndeshjen e fundit mes dy
skuadrave, në mars, me rezultat 3:0. Në favorizimin e Shqipërisë në këtë
ndeshje ndikon edhe forma e skuadrave – kuqezinjtë e Edy Rejës i kanë fituar
tri nga pesë ndeshjet e fundit, ndërsa Andorra i ka humbur pesë nga gjashtë
ndeshjet e fundit.

Se kuqezinjtë janë favoritë e pranon edhe trajneri i kësaj
përfaqësuese, Koldo Alvarez. Megjithatë ai refuzoi të dorëzohet përpara kësaj
sfide teksa theksoi se skuadra e tij do të kërkojë të marrë rezultatin më të
mirë të mundshëm.

“Nuk është se vijmë me idenë se duhet të fitojmë patjetër në
ndeshjen me Shqipërinë. E dimë që përballë kemi një skuadër që është superiore
ndaj nesh, me futbollistë që luajnë në kampionate të një niveli më të lartë se
futbollistët tanë. Por në këtë ndeshje do të luhen 11 kundër 11 lojtareve dhe
ne do të tentojmë të marrim rezultatin më të mirë të mundshëm”, tha Alvarez.

E në anën tjetër, trajneri Edy Reja është shprehur i kënaqur
me grupin e lojtarëve të tij dhe ka kërkuar më shumë përkrahje nga tifozët
kuqezinj.

“Jemi shumë të bashkuar, jemi një grup fantastik, janë të
rinj që me ndihmën e trajnerit po krijojmë një grup”, ka thënë Reja.

“Tifozeria na motivon gjithmonë për të ecur para. U bëj
thirrje të gjithë tifozëve që të ndjekin edhe ndeshjen me Andorrën jo vetëm për
Francën”.

MEDIAL.mk