Shqiptarët heqin dorë nga cigarja

Shqiptarët heqin dorë nga cigarja

Pirja e duhanit ka rënë nga 43 për qind e popullsisë së rritur në 2008 në 35 për qind më 2018 në meshkujt e moshës 15-49 vjeç, teksa është rritur me 1 pikë përqindje pirja e cigares tek femrat për të njëjtën periudhë, sipas një anketë të INSTAT të zhvilluar më 2018 në lidhje me faktorët e riskut që cenojnë shëndetin e popullatës.

Duhanpirësit u reduktuan me rreth 7 për qind përgjatë një dekade teksa qeveria shtrëngoi masat e kundër pirjes së duhanit, kryesisht duke mos lejuar konsumin e tij në ambientet kolektive dhe të mbyllura. Gjithashtu u rrit edhe niveli i taksimit. Rritja e akcizës për disa vite rresht ndaj cigareve, rriti çmimin tyre, duke ndikuar edhe në frenimin e konsumit.

Mirëpo siç shihet nga të dhënat zyrtare, importet e cigareve janë ulur disa herë më shumë se numri i duhanpirësve.

Gjatë periudhës 2010-2017, importi i cigareve ra me 31 për qind, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, ndërsa numri duhanpirësve është ulur vetëm më 7 për qind, duke sinjalizuar kështu zhvendosjen e konsumit drejt duhanit të dredhur.

Rezultatet e anketës tregojnë se pirja e duhanit e cigareve është më e zakonshme në moshën 30-34 vjeç, meshkujt (44 për qind) dhe gratë (7 për qind).

Cigarja pihet më shumë në zonat urbane (38 për qind burrat dhe 7 për qind gratë) se në zonat rurale (32 për qind burrat dhe 2 për qind gratë.

Mes meshkujve, përqindja e duhanpirësve zvogëlohet ndjeshëm me nivelin arsimor. 58 për qind e personave me arsim fillor pinë cigare, ndërsa vetëm 31 për qind e personave me universitet tymosin cigare. Ky krahasim nuk vlen për gratë, pasi pirja e duhanit nis e rritet me nivelin arsimor.

Në mesin e meshkujve përqindja e duhanpirësve ndryshon gjerësisht në prefektura, nga 23 për qind në Korçë dhe 26 për qind në Kukës, në 42 për qind në Tiranë dhe 45 për qind në Vlorë.

Në mesin e grave, përqindja e duhanpirësve rritet me pasurinë e familjes, nga 3 për qind në kuintilin më te ulët në 8 për qind në atë më të lartë, por ky modeli nuk vlen për meshkujt.

Duhanpirësit meshkuj kanë tendencë të pinë duhan më tepër se femrat. Rreth 23 për qind e duhanpirëseve meshkuj të moshës 15-49 vjeç raportojnë se pinë më shumë se 25 cigare në ditë, krahasuar me vetëm 3 për qind të duhanpirësve femra.

Pirja e duhanit e cigareve është një nga burimet më të mëdha të sëmundshmërisë së parandalueshme dhe vdekshmërisë së parakohshme. Kanceri i mushkërive është shkaku kryesor i vdekjes qe shkaktohet nga pirja e duhanit. /Tch/Telegrafi/

TAGS