13 Mars 2019 / 18:27
Një ditë përpara përfundimit të afatit për kontrollimin e të dhënave në listën zgjedhore, numri i votuesve që janë paraqitur për shqyrtim në njësitë rajonale dhe zyrat e KSHZ, është rreth 51 mijë. Sipas KSHZ-së ky numër është i kënaqshëm në krahasim me ciklet e kaluara zgjedhore, kur interesimi ka qenë më i ulët. Në bazë të paraqitjeve të qytetarëve dhe në bazë të të dhënave të institucioneve, KSHZ-ja përditëson listën zgjedhore. Procesi i përditësimit të listës zgjedhore do të lehtësohet me formimin e Regjistrit qendror të popullsisë, ligji për formimin e të cilit është në procedurë parlamentare. Xhabir Deralla nga Qendra për liri “Civil” kërkon që gjatë përpilimit të Regjistrit qendror të popullsisë i cili do të jetë elektronik, të bëhet kujdes në ruajtjen e të dhënave personale të qytetarëve.
Një dokument i këtillë do të jetë ndihmë e madhe veçanërisht për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve në përditësimin e listës zgjedhore e cila për dekada me radhë paraqet problem dhe në secilat zgjedhje paraqet dyshime serioze për legjitimitetin e këtij dokumenti. Patjetër duhet më shumë të bëhet kujdes për ruajtjen e të drejtave të njeriut në të cilat bie edhe mbrojtja e të dhënave personale dhe privatësia e qytetarëve dhe qytetareve. Duhet të jetë në harmoni edhe me ligjin që ka të bëjë me këto mbrojtje”- tha Xhabir Deralla, Qendra për liri “Civil”.
Lista zgjedhore e cila është problematizuar para çdo cikli zgjedhor për shkak të të dhënave kontestuese, sipas Derallës mbetet problematike.
Gjendja, supozoj se është po aq kaotike sa para tre vitesh. Ata janë baza të dhënash që nuk janë përditësuar mjaftë mirë dhe që janë shumë të prekshme sa i takon sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së privatësisë”- pohoi Xhabir Deralla, Qendra për liri “Civil”.
Procesi i njohur si “pastrimi i listës zgjedhore” në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016 mori jehonë të madhe në publik. Mundësia që për herë të parë qytetarët të kenë të qasje të plotë mbi listën elektronike zgjedhore nxori në dritë skandale që dy herë ndikuan edhe në shtyerjen e zgjedhjeve. Alsat kishte zbuluar dy raste më alarmante; 115 votues të regjistruar si banorë në një shtëpi dydhomëshe ku realisht jetonin vetëm dy persona dhe 66 votues të regjistruar si banorë në një shtëpi të vjetër dhe të pabanueshme e cila aktualisht është shembur dhe në vend të saj ndërtohet objekt i ri. Pas rishikimit, Alsat konstaton se në po këto adresa, gjendja nuk është e njëjtë me numër kaq të lartë votuesish por një pjesë më e vogël e tyre akoma figurojnë në po të njëjtat adresa. Institucionet ishin arsyetuar me jopërditësimin e adresave të votuesve. Skandale me votues fiktiv Alsat kishte zbuluar edhe në Kërçovë, ku kishte dhjetëra banorë plus të regjistruar në shtëpitë e disa drejtorëve të disa institucioneve. Vetë ish anëtarë të KSHZ-së kishin pranuar se në listën zgjedhore që nga viti 2014 në mënyrë masive ishin regjistruar persona nga Pusteci i Shqipërisë dhe Dragashi i Kosovës, të cilit ishin pajisur me nënshtetësi. Pustecasit para kamerës së Alsat flisnin se si në ditë zgjedhjesh organizohen për të ardhur të votojnë në Maqedoni.
Fatlume Dervishi
Loading…