Alsat 2019-04-12T14:25:59+02:00
Shtatë vite nga rasti Monstra, vrasja në liqenin e Smillkovës. 12 prill 2012, katër të rinj maqedonas dhe një peshkatar mbetën viktima në rrethana akoma të panjohura për organet. Ndonëse pa asnjë fakt relevant, Ministria e Brendshme aso kohe në krye me Gordana Jankullovskan, zhvilloi aksion policor në disa shtëpi shqiptare në Shkup. Pak muaj më pas Gjykata Themelore shpalli fajtor Alil Demirin, Afrim dhe Agim Ismajloviqin, Fejzi Aziri, Haki Azirin dhe Sami Lutën duke i shpallur fajtor për vepër terroriste dhe dënuar me burg të përjetshëm. Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq u dënuan në mungesë. Të njëjtit sot e kësaj dite mbeten të pakapshëm për organet e ndjekjes penale. Vendimi për rastin Monstra solli protesta të dhunshme, për të cilat u dënuan dhjetëra protestues.
Në vitin 2015, ish lideri i opozitës aso kohe, tani kryeministri Zoran Zaev në vazhdën e publikimit të materialeve të përgjuara kishte premtuar publikimin e të ashtuquajturave bomba për rastin Monstra, por një gjë e tillë nuk ndodhi asnjëherë. Më, 24 nëntor 2017, Gjykata Supreme vendos për kthimin e rastit “Monstra” në rigjykim, ndërsa të akuzuarit të cilët u liruan nga paraburgimi u obliguan me paraqitje në gjykatë një herë në javë.
Procesi tani ka filluar nën përfaqësimin e akuzës nga Prokuroria Speciale, por në mungesë të Afrim Ismailoviq dhe Alil Demirit. Deri më tani janë dëgjuar të akuzuarit dhe dëshmitarët, ndërsa së fundi në seancat me dyer të mbyllura janë dëgjuar edhe materialet e përgjuara.
Adrian Kerimi
Loading…