Shtëpia e vjedhur s’ishte pronë e Pal Lekajt, fëmijët e tij banonin me qira aty

Shtëpia e vjedhur s’ishte pronë e Pal Lekajt, fëmijët e tij banonin me qira aty
Tash esht Koha

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj, e ka mohuar se është pronar i shtëpisë në Çagllavicë, në të cilën u vodhën stoli ari e argjendi dhe 100 euro para të gatshme.

I pyetur nga Gazeta Express nëse shtëpia është pronë e tij dhe nëse e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Lekaj ka thënë se në të banojnë me qira dy djemtë e tij.

“Ju informoj që nuk jam pronar i shtëpisë. Në atë shtëpi janë duke banuar dy djemtë me qira, pasurinë time e kam të lajmruar”, ka thënë Lekaj për Express.

Nga kjo shtëpi u morën stoli ari dhe argjendi, si dhe 100 euro para të gatshme.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh. Sipas policisë, këto gjëra janë marrë nga dhoma e fjetjes.

“Çagllavicë 15.01.2020, 17:55, Ankuesi mashkull, K-shqiptar, ka raportuar për një rast vjedhje. Vjedhja është kryer në një shtëpi nga persona të dyshuar të cilët në dhomën e fjetjes kishin vjedhur disa stoli ari dhe argjendi si dhe 100 € para të gatshme. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe do ta trajtojnë rastin”, thuhet në raportin e policisë.

Sipas regjistrit për deklarimin e pasurisë të Agjencisë Kundër Korrupsionit, ai ka në pronësi vetëm një shtëpi që kushton 250 mijë euro

Përveç shtëpisë, Lekaj ka në pronësi edhe një tokë që e bën atë milioner.

I pari i Ministrisë së Infrastrukturës ka deklaruar se ka në pronësi një tokë që kushton 1 milion e 500 mijë euro.

Ai ka edhe dy vetura që kanë vlerë mbi 30 mijë euro. Njëra është e llojit Mercedes (2009), që kushton 13 mijë e 500 euro, derisa tjetra është e llojit BMË 525 F10 (2012), që ka vlerë 18 mijë euro.

Të gjitha këto Lekaj ka deklaruar se i ka trashëguar nga familja.

Para të gatshme ai vetë nuk ka, ndërkohë bashkëshortja e tij ka 3 mijë e 600 euro para të gatshme dhe fëmijët e tij rreth 10 mijë euro.

Por, ai ka një borxh ndaj bankave në vlerë 75 mijë euro, derisa të hyrat vjetore të tij janë vetëm nga paga që merr si Ministër i Infrastrukturës, përkatësisht 22 mijë euro.

Ndërkohë, shtëpia e Lekajt nuk është e vetmja që ka qenë cak i hajdutëve muajve të fundit. Sipas një përllogaritje të thjeshtë, për çdo ditë në Kosovë vidhen së paku 20 shtëpi ose lokale.

Vetëm gjatë vitit të kaluar në vend janë raportuar 4 mijë e 519 raste të vjedhjeve, dhe 3 mijë e 803 raste të tjera të vjedhjeve të rënda. E ndonëse numri i këtyre rasteve është i lart, krahasuar me vitin e kaluar, shirat janë ulur për rreth 1 mijë raste.

Bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës del se rënie ka shënuar edhe numri i grabitjeve. Këtë vit janë raportuar vetëm 171 raste, përderisa në 2018’ën, ky numër shkonte në rreth 300./Gazeta Express

Tash esht Koha