Shtohen gjasat për shërim nga kanceri i avancuar i lëkurës

Shtohen gjasat për shërim nga kanceri i avancuar i lëkurës

Mjekët në Britaninë e Madhe kanë thënë se më shumë se gjysma e të sëmurëve me kancer të avancuar të lëkurës tashmë mund të mbijetojnë, ndonëse sëmundja vlerësohej si e patrajtueshme vetëm para dhjetë vjetësh.

Dhjet vjet më parë, vetëm 5 për qind e pacientëve jetonin pesë vjet pas diagnostikimit me këtë lloj kanceri, ndërsa shumica vdisnin brenda disa muajve.

Sidoqoftë, ilaçet për kontrollimin e sistemit imunitar kanë ndikuar që 52 për qind e njerëzve të goditur nga kanceri i avancuar i lëkurës, i njohur si melanoma, të jetojnë për të paktën pesë vjet.

Mjekët thonë se këto rezultate janë arritje e shpejtë dhe e jashtëzakonshme në trajtimin e sëmundjes.

Kanceri i lëkurës është kanceri i pestë më i shpeshtë në Britani të Madhe dhe vret rreth 2300 njerëz në vit.

Nëse zbulohet në fazë të hershme, gjasat për mbijetesë janë të mira. Sidoqoftë, me kalimin e kohës, kanceri shpërndahet në pjesët e tjera të trupit dhe merr trajtën e kancerit me metastazë, duke i zvogëluar gjasat për shërim.

Gjetjet e hulumtimit për mbijetesën e pacientëve me kancer të lëkurës janë paraqitur në samitin e Shoqatës Evropiane të Onkologjisë dhe gjithashtu janë publikuar në revistën “New England Journal of Medicine”, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

TAGS