Si të përballemi me infertilitetin mashkullor?

Si të përballemi me infertilitetin mashkullor?

Shpesh meshkujt, infertilitetin e vet e përjetojnë si humbje të burrërisë – si pamundësi të fekondimit të qelizës vezë femërore. Përveç kësaj, disa teste për fertilitet, mund të jenë të pakëndshme, madje edhe nënçmuese.

Dr. Arbër Neziri, dr.sci.
urolog

044-136 774

Për shumicën e meshkujve, shenja e vetme e numrit të ulur të spermatozoideve është pamundësia e fekondimit të qelizës vezë femërore. Çifti konsiderohet infertil nëse nuk arrin të fillojë fëmijë pas një viti marrëdhëniesh të rregullta seksuale.

Nëse shkaktarë janë çrregullimet hormonale, janë edhe disa shenja, si p.sh. zvogëlimi i qimeve të trupit dhe fytyrës, ose problemet me funksionet seksuale.

Shkaktarët

VARIKOCELA: termi nënkupton zgjerim të venave të pleksusit pampiniform që mund të ndikojë në prodhimin e spermatozoideve. Ky shkaktar i shpeshtë mund të largohet me intervenim kirurgjikal.

DËMTIMET E SPERMËPËRÇUESVE: Dëmtimet, infeksionet, operimet mund të dëmtojnë d.deferense që përcjellin spermën nga testiset deri në penis.

ANTITRUPAT ANTI-SPERMATOZOID: Meshkujt që kanë Antitrupa anti-spermatozoid, kanë sistem imunitar që sulmon spermën vetanake. Kjo gjendje haset shpesh tek meshkujt që bëjnë reversionin pas vazektomisë, pastaj tek infeksionet ose gjatë lëndimeve.

PROBLEMET ME PRODHIM TË SPERMËS: Janë probleme nga shkaktarët trashëgues-gjenetik si sindroma e Klinefelterit ose çrregullimet hormonale, si p.sh dëmtimet e hipofizës. Nëse kemi problem shëndetësorë trashëgues, mundësia është më e madhe të kemi mungesë të plotë të spermatozoideve në spermë (azoospermi).

Faktorët e rrezikut

PROBLEMET GJENETIKE OSE HORMONALE. Disa gjendje të caktuara shëndetësore si p.sh., Sindroma e Klajfelerit, ose problemet me prodhim të hormoneve, ndikojnë në prodhimin e spermës.

ABUZIMI ME OPIOID. Numri i spermatozoideve mund të zvogëlohet me përdorimin e substancave ilegale, si p.sh kokaina ose marihuana.

PIRJA E DUHANIT ndikon në zvogëlimin e numrit të spermatozoideve.

TRASHËSIA E TEPËRT shkakton ndërrime hormonale që ndikojnë në prodhimin e spermës.

HELMET NGA AMBIENTI I JASHTËM. Rrezatimi, kemikaliet e ndryshme, disa barna dhe nxehtësia e tepërt mund të zvogëlojnë prodhimin e spermatozoideve.

Mjekimi i karcinomës

TRETMANI RADIOLOGJIK, HEMOTERAPEUTIK mund të rrezikojnë prodhimin e spermatozoideve.

INTERVENIMET KIRURGJIKE DHE LËNDIMET mund të ndikojnë në testise, në prodhimin e spermatozoideve.

Terapia dhe barnat

LARGIMI I VARIKOCELËS: Intervenimi kirurgjik në varikocele mund të përmirësojë numrin e spermatozoideve dhe të rrisë mundësinë e shtatzënisë.

ZËVENDËSIMI I HORMONEVE: Nëse hipofiza ose hipotalamusi nuk prodhojnë sasi të konsiderueshme të hormonit, atëherë duhet të merret terapia substitucionale (injeksionet gonadotropine). Në disa raste duhet të merret terapia edhe një vit e gjysmë derisa të arrihet fertiliteti normal.

MJEKIMI I INFEKSIONEVE: Nëse analizat e gjakut zbulojnë numër të madh të leukociteve, është e mundur të kemi infeksion që ndikon në prodhimin e spermatozoideve.

Preventiva:

MOS PINI DUHAN. Duhanpirja mund të dëmtojë spermën dhe rrezikojë prodhimin e spermatozoideve.

Ndërpriteni marrjen jashtë mase të PIJEVE ALKOOLIKE; marrja e mbi 2 pijeve alkoolike për 24 orë te meshkujt zvogëlon prodhimin e spermatozoideve dhe ndikon në libido.

LARGOJUNI TË DROGAVE OPIOIDE. Substancat si marihuana, kokaina, zvogëlojnë prodhimin e spermatozoideve.

QËNDRONI NË FORMË: obeziteti, poashtu zvogëlon spermatogjenezën.

QËNDRONI ‘COOL’. Largojuni saunave, banjave ujore të nxehta, sepse faktori termik i tejzgjatur mund të zvogëlojë numrin e spermatozoideve.

USHQIMI I RREGULLTË. Marrja e sasive të mjaftueshme të pemëve dhe perimeve, si dhe arrave, etj., ndikon në furnizimin e organizmit me vitamina, minerale, të domosdoshme për organizëm dhe funksionim të rregullte të sistemit reproduktiv. /Telegrafi/

TAGS